Shqipëri/ Ulen ndjeshëm infektimet me Covid-19, raste minimale javën e fundit, pritet lehtësim i masave kufizuese

04.05.2021 08:59:06

Pandemia në vendin tonë duket se po shkon drejt shuarjes. Prej disa javësh kurba e të infektuarve në Shqipëri ka filluar të zbresë, ku nga dita në ditë janë regjistruar më pak raste të reja me koronavirus, ndërsa ditën e djeshme është regjistruar numri më i ulët i të infektuarve prej vjeshtës së vitit të kaluar. Gjatë muajit prill rastet aktive ranë me 12,773 duke shkuar në 18,617 nga 31,390 që ishin në fund të marsit. Ndërsa gjatë gjithë javës së shkuar raportimi për rastet e reja ka qenë poshtë 100 të infektuar për 24 orë dhe numri i të vdekurve nuk i ka kaluar tre, madje ajo javë u mbyll të dielën me vetëm 1 viktimë dhe 53 raste të reja. Ndërkohë kjo javë e re ka nisur me dritë jeshile, pasi numri i rasteve të reja me koronavirus është edhe më i ulët. Konkretisht, të dhënat e raportuara dje nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se janë kryer 1762 testime për 24 orë dhe kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 vetëm 38 qytetarë, ndërkohë dy pacientë kanë humbur jetën. “Situata e Covid-19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 1,762 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 38 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 20 raste në Tiranë, 5 në Korçë, 3 në Sarandë, nga 1 rast në Fier, Kukës, Lezhë, Vlorë, Mirditë, Divjakë, Gramsh, Skrapar, Patos, Konispol. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, një qytetar nga Shkodra dhe një qytetar nga Durrësi të moshave 83-90 vjeç kanë humbur betejën me Covid-19”, raportoi ministria. Më shumë optimizëm se po arrijmë ta mundim këtë sëmundje tregon fakti se në javët e fundit numri i të shëruarve është rritur ndjeshëm, madje në 24 orë të shëruarit që lënë spitalin kanë qenë tre herë më shumë se rastet pozitive. Ditën e djeshme janë raportuar se fituan betejën më koronavirusin 872 qytetarë, duke bërë që në spitale të jenë nën trajnim vetëm 123 pacientë. “Në 24 orët e fundit janë shëruar 872 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 111,792 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 123 pacientë, 10 në terapi intensive, nga të cilët 2 pacientë janë të intubuar”, njoftoi MSH.

Sinjale për heqje kufizimesh

Numri kaq i ulët i rasteve të reja dhe i të rasteve aktive në spitale janë sinjale që shumë shpejt vendi do të çlirohet nga masat kufizuese, të ndërmarra në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit. Shenja se do të kemi lehtësim masash tregon edhe fakti që vaksinimi masiv po vijon në ritme të shpejta dhe duke tejkaluar pritshmëritë u arrit vaksinimi i 500 mijë qytetarëve, nga të cilët të paktën 21 mijë persona kanë marrë dy injeksionet e nevojshme duke u imunizuar nga COVID-19. Edhe vetë OBSH ka sqaruar më parë se vaksinimi masiv do të luftojë shumë shpejt pandeminë dhe vendet që kanë ecur përpara me këtë proces do të jenë të parat që do heqin masat kufizuese. Pak javë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve në vend bëri disa lehtësime si: shtyu fashën orare nga ora 20:00 e mbrëmjes në 22:00 që vijon aktualisht si dhe riktheu gjimnazistët në klasa. Dhe marrim parasysh këtu që këto lehtësime u bënë në ditë kur numri i të infektuarve vazhdonte mbi 100 në 24 orë, ndërsa tashmë që kurba është zbutur ndjeshëm me shumë gjasa në daljen e radhës Komiteti do të heqë të tjera kufizime. Lehtësimi i masave pritet të ndodhë brenda këtij maji, pasi dhe vetë kryeministri paralajmëroi se ketë vit do të kemi një sezon turistik normal, pa kufizime. Ndërsa shtojmë këtu se dje është vendosur që të hiqet karantinimi i detyrueshëm dyjavor për qytetarët që vinin në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, duke u hapur rrugë turistëve që vizitojnë vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prirja e infeksionit ka qenë në ulje për shkak se pozitivë kanë rezultuar më pak persona.