Shqipëri/ “Unë e gjeta të ngarkuar…”/ Zbardhet dëshmia e shoferit, në kamion iu gjetën 500 mijë euro

14.06.2020 13:28:59

Hetimet për sasinë e madhe të parave që u gjetën në një kamion që hyri në territorin shqiptar përmes portit të Durrësit janë intensifikuar. Paraditen e sotme është rimarrë në pyetje shoferi i kamionit Andon Thanasi nga Tirana, në mjetin e ti cilit një ditë më parë u gjet dhe nuk u deklarua një sasi prej afro 500 mijë euro.

“Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara”, njofton policia.

Megjithatë, në deklaratën paraprake në polici, ai ka mohuar që të ketë dijeni për praninë e parave në mjet. “Unë jam shofer dhe e gjej kamionin të ngarkuar dhe çoj në destinacion. Nuk kam lidhje unë, asnjë shofer nuk ka lidhje me ngarkesën. Neve na pajisin me dokumentacionin e ngarkesës dhe kaq, përgjegjësi mbajmë për kokën e kamionit, jo për ngarkesën”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Përkundër deklaratave të tij, policia i ka prerë flet-arrestin për shkak se paratë janë gjetur jo në pjesën e brendshme të tij. Policia ka dyshime të forta se paratë i ka vendosur ai.