Shqipëri/ Vdekja e shoferit, PD: Vrasje mafioze! Xhafaj manipulon provat, të dorëhiqet

30.06.2018 23:41:48

Gjetja pajetë e shoferit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, brenda një automjeti në garazhin e godinës së Gardës së Republikës ishte tronditëse dhe vetë kreu i dikasterit kërkoi nga kundërshtarët e opozitës të mos politizojnë ngjarjen e rëndë.

Por Partia Demokratike me një deklaratë për mediat të publikuar pasdite e cilëson vrasjen e Shkëlzen Qordjas si një ekzekutim tipik mafioz.

“Ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003. Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim! Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator”, thuhet në reagimin e PD-së.

Nga selia blu gjithashtu hedhin akuza të rënda në drejtim të Gardës, Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm, pasi sipas tyre këto tre institucione fshehën ngjarjen e rëndë dhe po e manipulojnë atë duke e cilësuar si vetëvrasje, kur në të vërtetë është “larje hesapesh”.

“Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin. Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba”, theksojnë nga PD.

Më tej në njoftim nënvizohet se “me një Polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen”.

“Të mos fshihet pas lotëve të krokodilit, por të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një hetimi të pavarur. Me Fatmir Xhafën Ministër të Brendshëm, e vërteta e vrasjes mafioze nuk do të dalë në dritë!”, thuhet në njoftimin e PD-së.