Shqipëri/ Vrasja e dy vëllezërve/ Gjenden mesazhe të dyshimta në telefon, lidhja me botën e krimit

29.04.2020 09:27:40

Dy ditë më parë një ekzekutim mafioz i dyfishtë tronditi Durrësin ku mbeten të vrarë dy vëllezër. Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e 2 vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, brenda makinës së tyre Golf 6, me targa AA716ZZ .

Autorët i ndoqën rreth 1 km dhe i zunë nëpritë disa persona të panjohur, të cilët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt tyre.

Policia ka sekuestruar telefonat e dy vëllezërve Haxhia, të cilët u ekzekutuan në afërsi të tregut të makinave në Durrës.

Mësohet se në telefonat e tyre janë gjetur mesazhe të dyshimta. Kësisoj policia i ka kërkuar kompanisë telefonike që të zbardhe mesazhet e 2 vëllezërve për të kuptuar çfarë ka ndodhur vërtet. Këto mesazhe mund të shërbejë si indicie që mund ta çojnë policinë te autorët e krimit.

Kontaktet, mesazhet dhe telefonatat e kryera, pritet që të zbardhin më tepër detaje ndërkohë që mësohet se Besmir Haxhia, njëri nga viktimat ka komunikuar me mesazheve, me persona të botës së krimit, të cilët veprojnë në qytetin e Durrësit dhe jo vetëm.