Shqipëri: Zgjedhja e kryeprokurorit, PD-LSI në protestë para Kuvendit

16.12.2017 17:17:09

Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri ka bashkuar sërish opozitën kundër mazhorancës qeverisëse.

Partia Demokratike dhe lëvizja Socialiste për Integrim, do të protestojnë në Tiranë para Parlamentit të hënën kur pritet të zgjidhet Prokurori i përgjithshëm i përkohshëm.

Qëllimi i protestës është bllokimi i këtij procesi pasi opozita thotë se zgjedhja e kryeprokurorit nga maxhoranca tenton të kapë organin e akuzës dhe të mbyllë dosjet e krimit dhe të korrupsionit.

Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryetari Lulzim Basha, do të kërkohet nga deputetët përgatitja e protestës, ku do të jenë të pranishëm edhe krerët e degëve në rrethe.

Mësohet se baza është njoftuar për protestën, e cila duhet të nisë të hënën në mëngjes rreth orës 09:30.

Pikërisht ditën e hënë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka njoftuar mbajtjen e një seance parlamentare për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përkohshëm.

Një ditë më parë Basha dha urdhër të prerë që të mbledhë sot në orën 18:00 grupin parlamentar në të cilën nuk duhet të mungojë asnjë deputet.

Komisioni parlamentar i Ligjeve dha këtë të premte konkluzionet për shtatë kandidatët në garë për postin e kryeprokurorit të përgjithshëm, të përkohshëm.

Ferdinand Elezi, Ermira Tafani dhe Arta Marku, janë tre kandidatët që përmbushin kriteret.