Shqipëria “botë e tretë” në renditjen e zbatimit të ligjit

23.10.2016 23:21:30

Në mes të debatit të garës elektorale për president, kandidatët flasin për SHBA-të si vendi më i madh në Tokë. Por, kur vjen puna tek zbatimi i ligjit, SHBA-të duket se kanë punë për të bërë sipas një studimi të fundit.

Vendi renditet i 18-të mes 113 shteteve të përfshira në pyetësorin se si e kanë përjetuar qytetarët zbatimin e ligjit.

Studimi i World Justice Project, tregon se, SHBA-të janë pas vendeve si Estonia, Çekia dhe Japonia.

Vendet nordike – që zakonisht dominojnë këto renditje – pozicionohen në krye. Kurse Venezuela është e fundit pas Kamboxhias dhe Afganistanit.

Raporti përfshirë marrjen në pyetje të 100 mijë qytetarëve për mungesën e korrupsionit, qeverisjen e hapur, të drejtat themelore, sigurinë dhe rendin si dhe drejtësinë civile dhe kriminale.

Po Shqipëria? Në këtë raport, ky vend pozicionohet në vendin e 72-të. Nëse nuk do të ishte vlerësimi për rendin dhe sigurinë, Shqipëria do të ishte pozicionuar edhe më keq, pasi në këtë aspekt është e 42-ta në botë.

Vlerësimin më të dobët e ka marrë “mungesa e korrupsionit”, duke u pozicionuar në vendin e 98-të si dhe “zbatimi i rregullave” në vendin e 86-të. Shqipëria vlerësohet dobët edhe për “qeverinë e hapur”, vetëm në vendin e 83-të.

Edhe pse në këtë renditje, Shqipëria gjendet mes vendeve të “botës së tretë”, ka lënë pas Serbinë.