Shqipëria dhe Monako me orientim të përbashkët në politikën e jashtme

08.12.2017 23:20:27

Princi i Monakos shprehu angazhimin e tij për bashkëpunim Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u takua sot në Marsejë me princin e Monakos, Albertin II. Presidenti Meta gjatë takimit theksoi se dy vendet kanë një orientim të përbashkët në politikën e jashtme, ndaj inkurajoi më tej zhvillimin e dialogut politik. Meta vuri në dukje se është në interes të dy vendeve forcimi i bashkëpunimit, veçanërisht në fushat ku Principata e Monakos luan rol të veçantë, si në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në atë të ruajtjes së mjedisit në pellgun e Mesdheut. Meta vlerësoi përkushtimin e princit Albert II dhe angazhimin e tij serioz në fushën e biodiversitetit dhe mbrojtjen e ambientit, duke e ftuar për të vizituar Shqipërinë e në veçanti zonën e Sazan-Karaburunit, ku synohet realizimi i një projekti të rëndësishëm mjedisor. Princi Alberti II e pranoi me kënaqësi ftesën dhe shprehu angazhimin e tij për një bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve.