Shqipëria drejt “zonës së kuqe”, mblidhet komiteti teknik i ekspertëve për koronavirusin

09.03.2020 00:34:16

Pak minuta më parë është zhvilluar mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë të Shëndetësisë, për të parandaluar përhapjen e mundshme të koronavirusit në Shqipëri.

Manastirliu, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se në ministri po diskutohet momente me ekspertët e komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe.

Ajo shton se cdo masë që mund të merret në vendin tonë, do të konsultohet me ekspertët. Manastirliu nënvizon se deri tani, në vendin tonë ende nuk ka konfirmim për person të prekur nga virusi Covid 19.

Postimi i ministres të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu:

Po diskutojmë në këto momente me ekspertët e komitetit teknik, për masat e shtuara për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, pas vendimit që hyri sot në fuqi në vendin fqinj për izolimin total të zonave të kuqe.

Çdo masë e shtuar dhe vendim që do të merret, do të vendoset nga eskpertët. Deri në këto momente, nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19 në vendin tonë!