Shqipëria e pafat, Italia fiton 1-0

09.10.2017 22:54:35

Në Loro Borici mbyllet me festën e Italisë, fitojnë të kaltërit, 1-0 me Shqipërinë që ndëshkohet në të vetmin moment që gaboi golin e Canndrevës që nuk i lejon kuqezinjtë të festojnë edhe me rezultat një ndeshje të luajtur mjaft mirë.

Shumë ndryshime në formacionin e Panuccit që propozonte një 4-2-3-1 sulmues, Veseli përkrah Mavrajt dhe jo Ajeti në mbrojtje, riktheheshin Agolli në mbrojtje dhe Sadiku në sulm. Këmbëngulte te 4-2-4 Ventura dhe në Loro Borici sinjalin e parë e jep një shkodran që luan në Itali, Elseid Hysaj. E nis vrullshëm Shqipëria që në të 10 provon edhe më një të djathtë të bukur të Grezdës me Buffon që arrin ta kthejë topin edhe pse jo pa vështirësi. I karikuar Christian Panucci kundër Italisë, skuadër me të cilën ka luajtur 57 ndeshje. Të kaltërit  bëhen të rrezikshëm në minutën e 21 kur Veseli shikon veten në vështirësi në një krosim të gjatë për Immobilen që gjuan por Berisha është aty për t’i vënë gjoksin topit. Në të 27 provon goditjen e befasisë Armando Sadiku që spostohet drejt qendrës dhe gjuan por përgjigjet Buffon. Menjëherë më pas provon të njëjtën gjë edhe Eder. Ventura shikon Italinë e tij të fiket disi me kalimin e minutave. Të kaltërit gjithsesi kërkojnë një penallti në minutën e 40 për prekje me dorë në zonë nga Veseli por loja vazhdon për norvegjezin Svein Oddvar Moen. Pas një krosimi nga thellësia Imobilen gjuan pjesën e jashtme të rrjetës së Berishës dhe pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. E dyta fillon me një rast për Shqipërinë përpara Roshi propvon me një goditje të bukur por ja del të kthejë me grushta Buffon. Minutat në vijim Italianët fitojnë metra me Shqipërinë që organizohet mirë në mbrojtje,  në të 59 Candreva gjuan në diagonale jashtë. Menjëherë më pas të kaltërit kanë një kundërsulm të favorshëm por Eder finalizon keq. Provon edhe Insignje në të 62 me Berishën që është gati. Pak sekonda më vonë Eros Grezda  shikon që ka hapësirë dhe lëshon një goditje potente me topin që merr trajektore të pazakontë duke vënë në vështirësi serioze edhe një si Buffon.  Është një Shqipëri që ka luajtur vërtet mirë, por ndëshkohet në të vetmin gabim që bën , atë të minutës së 73 kur Spinazzola nga e majta kroson për Candrevën, me topin që kalon gjithë mbrojtjen dhe gjen interistin të lënë vetëm. Nuk fal lojtari me origjinë arbëreshe dhe 1-0.

Italia në avantazh, është një goditje e papritur për Shqipërinë, me Panuccin që në të 76 fut Latifin me Memushajn, nuk vonon të tregojë klasin prishtinaliu me një krosim të bukur që e detyron Chiellinin të rrezikojë autogolin. Në goditjen e këndit menjëherë më pas Roshi ka në këmbë një rast të artë por vonohet me goditjen e tij që devijohet. Shqipëria provon të bëjë dicka më shumë përpara por rrezikon të pësojë sërish në fund kur kapet e papërgatitur pas, me Berishën që fiton në duelin një për një me Immobilen. Përfundon 1-0, pikërisht ajo që ju duhej italianëve që i gëzohen suksesit, ndërsa Shqipëria i mbylll eleminatoret me një barazim të ikur nga duart në Loro Borici. /supersport.al/