Shqipëria renditet në vendin e 112 nga 156 vende të botës, sa i përket raportit me lumturinë. Konstatimi vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ka publikuar indeksin e lumturisë për 2018-ën.

14.03.2018 22:42:12

Sipas studimit, Shqipëria është renditur e fundit në Europë dhe ndodhet në krah të vendeve të tjera të botës së tretë, si Laosi, Sierra Leone, Bangladeshi, Iraku etj në renditjen globale.

Rankimi realizohet duke pasur parasysh kritere si të ardhurat për frymë, siguria shëndetësore, korrupsioni për të cilat shqiptarët janë më të pakënaqurit në Evropë.

Rezulton se Shqipëria është përkeqësuar me 3 pozicione krahasuar me një vit më parë kur renditej e 109-ta.

Shqipëria, në 2016 renditej në vendin e 95-të, çka tregon se në 3 vitet e fundit shqiptarët përherë janë më pak të lumtur.

Nëse shohim vendet e rajonit, Kosova rezulton më e lumtura në vendin e 66-të, Serbia e 78-a, Mali i Zi në vendin e 81-të, Maqedonia e 89-a dhe Bosnja e 93-ta.

Vendi më i lumtur në botë rezulton Finlanda, e ndjekur nga Norvegjia në vendin e dytë, e më pas Danimarka, Islanda, Zvicra, Holanda, Kanadaja, Zelanda e Suedia. Shtetet e fundit janë Burundi, Sudani dhe Republika e Afrikës Qendrore.