Shqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB

11.06.2021 20:30:12

Shqipëria është zgjedhur këtë të premte për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për vitin 2022-2023. Në votim morën pjesë 190 shtete, ndërsa 175 prej tyre u shprehën pro Shqipërisë.

Shqipëria u pranua si vend anëtar i OKB-së në 14 dhjetor 1955, ndërsa Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 15 shtete anëtare, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë shtete anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar.

Vendi ynë do të marrë mandatin më 1 janar të vitit 2022. Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka si mision dhe detyrë parësore mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Bazuar në këto parime, Këshilli i Sigurimit gëzon të drejtën të dërgojë trupa paqeruajtëse në rajone konfliktuale, madje mund të aplikojë edhe sanksione të forta tregtare.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka pak ditë më parë në intervistë  për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania paralajmëroi se Shqipëria e kishte të garantuar pozicionin pasi është e vetmja kandidate në grupin e vendeve të Evropës Lindore.

“Shqipëria bën pjesë në grupin e Evropës Lindore dhe në këtë pikë është mes konsensusit të gjithë anëtarëve që Shqipëria do të jetë kandidat i vetëm dhe konsensual. Që do të thotë se zgjedhja është e sigurt. Pikërisht jo se i ka ardhur radha por sepse ka pasur një dakordësi dhe një lobim të gjatë që Shqipërisë i takon që të mbështet nga të gjitha vendet e grupit të vet”, deklaroi znj. Xhaçka.