“Shqiponja 6” sjell në Kosovë ushtritë e gjashtë shteteve

22.04.2018 11:55:48

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka bërë të ditur, se në fillim të muajit maj në Kosovë do të mbahet ushtrimi “Shqiponja 6”.

Ai ka thënë se pjesëmarrëse në këtë ushtrim do të jenë 12 shtete me trupat e tyre ushtarake.

“Këtë vit jemi pjesë e 11 ushtrimeve fushore që do të ndodhin në rajon dhe më gjerë. Ajo që është më e rëndësishmja, në fillim të muajit maj në Kosovë do ta kemi ushtrimin ‘Shqiponja 6’”, ka thënë Rama, për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se është hera e parë që ky ushtrim nuk do të jetë nacional, por internacional.

“Pjesëmarrëse në këtë ushtrim do të jenë 12 shtete me trupat e tyre ushtarake. Natyrisht se për këtë ushtrim i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet me partnerët tanë, ndërsa tani e presim zbatimin e këtij ushtrimi”, ka shtuar Rama, duke shtuar se FSK-ja merr pjesë edhe në shumë ushtrime të përbashkëta, qofshin ato rajonale apo globale.