Shqiptarët fabrikë të vërtetë falsifikimi në Milano, pasaporta 3500 euro

19.12.2016 20:09:07

Policia italiane e qytetit të Milanos ka ekzekutuar sot operacionin e koduar “Toka e Premtuar” , i cili ka çuar në arrestimin e 2 shtetasve shqiptarë të moshës 45 vjeç me akuzën e fabrikimit të dokumenteve e pasaportave false për emigrantë klandestinë në Itali.

Në dy apartamentet e tyre të banimit, dy shtetasit shqiptarë kishin ngritur një fabrikë të vërtetë stampimi dokumentesh të falsifikuara ku policia italiane mundi të sekuestroi karta identitetit të bardha, stampante, kompjutera, makina qepëse që shërbenin për të qepur fijet e filigranës në dokumente etj.

Hetimet prej disa muajsh të këtij operacioni, kanë identifikuar dy shtetasit shqiptarë.

Të cilët pozicionoheshin çdo ditë në ambientet e jashtme të konsullatës marokene në qytetin e Milanos ku u ofronin shtetasve marokene pasaporta të falsifikuar italiane me çmim 3500 euro, leje qëndrimi të falsifikuar kundrejt pagesës 350- 550 euro, patentë italiane e falsifikuar për 250-350 euro e pasaportë marokene të falsifikuar për 750 euro.

Koha e realizimit të një dokumenti apo pasaporta të falsifikuar ishte mjaft e shkurtër, e brenda pak orësh pas marrjes së porosisë, shqiptarët ishin të aftë t’i realizonin ato. Dorëzimi bëhej gjithmonë pranë të njëjtit lokal.

Cilësia e falsifikimit të tyre ishte mjaft e lartë, sidomos pasaportat ishin pothuajse identike me ato origjinalet.

Operacioni i policisë italiane u kodua me emrin “Toka e premtuar” pasi klientët që pajiseshin me dokumente të falsifikuar nga shqiptarët synonin të mbërrinin në vendet e Evropës së Veriut.

Hetimet nisën në muajin gusht të 2016 pasi policia italiane identifikoi në qytetin e Milanos shtimin e fenomenit të shtetasve marokenë klandestinë me pasaporta e dokumente të falsifikuara,

Dy shtetasit shqiptarë ishin të dënuar më parë nga drejtësia italiane për vepra të ndryshme penale. Sipas mediave italiane (Il Giorno) dy shqiptarët e arrestuar kishin kryer shumë investime në Shqipëri në fushën e aktivitet tregtar e industrial.