Shqiptari apel për ndihmë nga burgu maqedonas, çfarë po ndodh me të burgosurit ?

29.11.2016 13:26:26

Duket se të burgosurit shqiptar në Maqedoni, po e vuajnë njësoj si në burgjet greke, harresën e shtetit shqiptar.

Eduart Coco është një 31-vjeçar, banues në Babrru, i cili është akuzuar për kalim emigrantësh në mënyrë ilegale, po vuan dënimin e tij në Maqedoni.

Për këtë akuzë ai është dënuar9 vite, ndërsa avokati i ka thënë se i takojnë jo më shumë se 1 vit ose arrest shtëpiak.

Por pas shumë hallakatjeve, ai ka marrë një dënim shumë të ashpër, plot 9 vite dhe nuk di ku të ankohet, ndaj i kërkon ndihmë shtetit shqiptar që të ndërhyjë, pasi si ai ka edhe shumë shqiptarë të tjerë që janë lënë në harresë dhe shteti maqedonas po tallet me ta dhe po i torturon me shumë vite burg.

“Aktualisht ndodhem në burg Idrizovë Shkup, Maqedoni. Jam dënuar për emigrant nga shkalla e parë po dhe nga shkalla e apelit me të njëjtën dënim, 9 vjet burg sepse avokatët këtu janë bashkë me prokurorinë dhe gjykatat, prandaj po ju lutemi që problemi që kam të publikohet sepse unë nuk firmosa ato gjëra që ata deshën.

Kisha në makinë 3 emigrantë sirianë dhe ata të moshës 26 deri ne 30 vjeç.

E pranoj gabimin tim dhe ta kryej dënimin, por ama këtu nuk funksionojnë ligjet njësoj si për të gjithë, në qoftë se në vendin tim do të ishte një shtetas maqedonas, i cili me të njëjtën vepër penale do të ishte dënuar me arrest shtëpiak ose deri në një vit.

Ndërsa unë kur jam dënuar për transport emigrant nuk më kanë sjellë në gjyq as edhe një dëshmitar.

Ju lutem të njoftohet Ministria e Jashtme se ambasada këtu në Shkup, Maqedonijanë të pavlerë, nuk janë interesuar qoftë edhe një herë për qytetarët e vet.

Si mua ka shumë të tjerë të dënuar për vepra të ndryshme penale, ndaj ju drejtohemi juve që ta ndihmoni, faleminderit shumë dhe përshëndetje!”, ka shkruar ai, përcjell “JOQ”.

Ndërkohë, avokati i Eduartit, Naser Raufi i ka thënë se duhet të presë, edhe pse dënimi përfundimtar është shqiptuar duke e lënë atë dhe shumë të tjerë të pashpresë dhe të harruar nën mëshirën e shtetit maqedonas.