Shteti s’arrin t’i pajis qytetarët me tabela të veturave, kjo lë hapësirë për aktivitete kriminale

20.07.2016 16:00:08

Ka disa ditë që shumë vetura nëpër rrugët e Kosovës bartin tabela proba, apo të përkohshme, për shkak të mungesës së materialit.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur ta sigurojë materialin për tabela, dhe si shkak qytetatët janë duke marr tabela të përkohshme që janë nga letra, raporton Indeksonline.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadanin, një gjë e tillë dëshmon menaxhim të dobët të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Kjo dëshmon për një menaxhim tejet të dobët të MPB-së. Së pari, dëshmon për mungesë planifikimi me kohë dhe, së dyti, mungesë të përkushtimit për mbajtjen e nivelit të sigurisë”, ka thënë Ramadani për Indeksonline.

Ramadani konsideron se mungesa e tabelave lë hapësirë për aktivitete kriminale.

“Mungesa e tabelave të rregullta për një kohë kaq të gjatë qartësisht paraqet një mundësi për aktivitete kriminale, duke pasur mundësi edhe të keqpërdorimit të tyre apo falsifikimit të tyre”.

Sipas tij, qytetarët paguajnë për shërbime të plota.

“Në fund të fundit, qytetarët paguajnë për të marrë shërbime të plota dhe jo këso të përkohshme”, është shprehur Ramadani.

Indeksonline ka provuar të marr një përgjigje me shkrim sot gjatë ditës nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nuk kanë dhënë asnjë sqarim.