Shtrenjtohen kolektivisht kafetë në një lagje të Prishtinës

28.06.2019 23:23:56

Janë shtrenjtuar kafetë në mënyrë kolektive në një lagje të Prishtinës.

Pijes më të preferuar në kryeqytet, kafetë, para disa ditëve iu është ngritur çmimi në qendër të Prishtinës, nga 0.70 cent në 1 euro.

Për këtë ngritje, lajmi.net kishte raportuar se ka pasur marrëveshje në mes pronarëve të kafeneve.

Menjëherë pas këtij raportimi, autoriteti i konkurrencës kishte nisur një hetim. Por, lajmi.net ka parë se kafenetë në mënyrë kolektive janë shtrenjtuar edhe në rrugë “Bajram Kelmendi e “Zenel Salihu”.

“Klientë të nderuar, ju njoftojmë se që nga data 01.07.2017 të gjitha kafetë do të jenë me çmim 0.70 euro”, thuhet në njëren nga kafenetë.

Në një tjetër kafene thuhet se kafetë do të jenë 0.70 cent nga data 24 qershor.

Lajmi.net ka parë plakatat e vendosura në katër prej kafeneve të kësaj lagjje. Ndryshe, para disa ditësh, lajmi.net ka raportuar se në qendër të Prishtinës makiato e vogël, nga 0.70 cent është ngritur në 1 euro.

Vlen të theksohet se në shumicën e lagjeve të Prishtinës për shkak të frekuentimit më të vogël – kafetë kanë kushtuar 0.50 cent.

Kjo pasi kap asur një marrëveshje të Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës me pronarët e kafeneve. Menjëherë kishte reaguar autoriteti i konkurrencës i cili kishte biseduar me këtë shoqatë dhe pronarët e kafeneve ku edhe nuk kishin nxjerrur asnjë përfundim.

Ani pse autoriteti i konkurrencës kishte thënë se kafenetë do të kthehen në çmimin e mëparshëm, ato ende vazhdojnë të mbesin me çmimin e ngritur.

Në anën tjetër, sipas ligjit për mbrojtjen e Konkurrencës ndalohet rritja e çmimeve të organizuara që ndikojnë në çrregullimin e konkurrencës.

Ligji nr. 03 /L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës neni 4 “Marrëveshjet e ndaluara”, thotë se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e  marrura në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin  e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.