Shumë zhurmë për “asgjë”!

15.07.2017 20:24:03

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ismet Beqiri, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar çështjen e ndërtimit të xhamisë në lagjen Dardania.

“Këto ditë është aktualizuar çështja e ndërtimit të xhamisë së madhe në Prishtinë. Është ndarë lokacioni për të, diku 5 vite më parë, është vënë edhe gurëthemeli për ndërtimin e saj. Janë absurde, të paqëndrueshme dhe të papranueshme obstruksionet, bllokadat dhe mosdhënia e lejes për ndërtimin e saj nga organet kompetente të Komunës së Prishtinës. Qytetarët e besimit mysliman meritojnë një xhami të tillë, është e drejtë elementare e tyre, e drejta e besimit është e garantuar me Kushtetutë. Mos po i pritni zgjedhjet lokale të 22 tetorit? Kjo punë është dashur të kryhet”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, i kontaktuar nga Insajderi ka thënë se ai dhe partia e tij nuk kanë ende një version zyrtarë në lidhje me këtë çështje.

“Po, unë besoj që është e drejt e tyre, sepse është e nevojshme. Ka një nevojë të madhe për një objekt të tillë në Prishtinë”, ka thënë Çelaj.

Ndërkaq, Agim Gashi, asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për Insajderin se kjo parti do ta mbështeste ndërtimin e xhamisë nëse ajo shërben vetëm si kult fetar e jo nëse shndërrohet në qendër tregtare apo Qendër Kulturore Islame.

Reagime ka pasë edhe nga qytetarët dhe aktivistët e partisë Fjala. Fatmir Smajli nga ky subjekt ka thënë se peticioni kundër xhamisë në Prishtinë është i kamufluar.

“Lëreni rehat popullin dhe besimtarët në të drejtën e tyre”, thotë ai. “Në demokraci fiton shumica, e ju në emër të demokracisë po luani me shumicën! Kjo xhami, me ose pa peticione, me ose pa pëlqimin e atyre që e urrejnë, me ose pa reflektimin e institucioneve, do të jetë pjesë e selfie-ve tona dhe tuaja së shpejti”.