Shumica e komunave do të shkojnë në balotazh

16.10.2017 11:32:17

Njohësi i rrethanave politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë të dielën se fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka qenë fushata më e qetë deri më tani.

Sipas tij, e tillë do të jetë edhe java e fundit e kësaj fushate.Maliqi ka thënë për gazetën  se nuk ka pasur ndarje të ashpra në mes të pushtetit dhe opozitës sepse të gjitha partitë synojnë, nëse jo të jenë fituese dhe bartëse të pushtetit, atëherë të bëhen pjesë e pushtetit nëpërmjet koalicioneve.

“Kjo fushatë ka qenë ndër më të qetat deri më sot dhe besoj se e tillë do të mbetet deri në fund. Arsyeja kryesore për këtë është se të gjitha partitë synojnë, nëse jo të jenë fituese dhe bartëse të pushtetit, atëherë të bëhen pjesë e tij nëpërmjet koalicioneve. Andaj nuk kemi si më parë ndarje të ashpra në mes të pushtetit dhe opozitës çfarë kemi parë në betejën për pushtetin qendror. Edhe ashtu në nivelin lokal që nga viti 2013 kemi përjetuar, jo edhe me aq konsistencë, pothuajse të gjitha koalicionet e mundshme. Tani kjo mund të bëhet praktikë e zakonshme”, është shprehur Maliqi.

Ai ka vlerësuar se partitë që llogarisin se në garë po hyjnë me përparësi të madhe, e kanë frikën se, nëse nuk fitojnë shumicën e pastër (mbi 50 % të votës), do të mund të humbnin në balotazh.