Si e përjetoi Nexhmije Hoxha, sëmundjen e Pranverës…Letrat sekrete për mjekët

30.07.2019 10:48:10

Isuf Kalo

Një letër që më dërgonte më datën 14 prill 1981 profesor Fejzi Hoxha, me porositë aq shumë të detajuara të Nexhmijes, ndërkohë që unë shoqëroja Pranverën në Paris për një problem shëndetësor, më habiti për shkallën e metikulozitetit dhe ankthit me të cilat ajo i përjetonte të tilla probleme te familjarët dhe, në këtë rast, për të bijën e saj.

Pranvera u dërgua atje me rekomandim të obstetër-gjinekologut tonë më të mirë të asaj kohe, prof. K. G., për lindjen e fëmijës së dytë të saj me operacion. Prof. K. G., që e pati ndjekur atë gjatë shtatzënisë, e vlerësoi situatën të rrezikshme. Në kushtet e disa mungesave të mjekësisë sonë të asaj kohe, ai nuk mori përsipër t’i garantonte jetën as nënës dhe as foshnjës nëse do ta kryente ndërhyrjen në Shqipëri.

Pranvera u nis disi me urgjencë përpara datës së lindjes, e shoqëruar nga i shoqi, Klemi, një infermiere, prof. K. G., nga unë dhe oficerë të Sigurimit, me në krye Sulo Gradecin. Së pari, ajo u vendos në një apartament të rezidencës së ambasadës sonë, në pritje që konsulta e specialistëve francezë të vendoste kur duhej shtruar në spital, si dhe kohën e kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale. Në këto rrethana, profesor Fejzi Hoxha më dërgoi dorazi një letër me porositë konfidenciale të Nexhmijes. Disa pasazhe të saj po i riprodhoj më poshtë, bashkë me nënvizimet, që janë origjinale:

“Ay (prof. K. G.) natyrisht do rrijë ngjitur atje me ju, ku ta caktojë Sulua, të jetë afër, ta keni sa më shpejt, ditën e në orët e natës. Për deri sa të mbaroni punën të mos largohet as një minutë as në ndonjë vend. Sipas udhëzimeve që kam, pasi u thirra për këtë (nga Nexhmija) duhet që gjersa të jeni pa u shtruar të bëni planin si do të veprohet në rast të një urgjence të papritur, ditën ose natën?… Përveç planit të detajuar nga K. G., ti bëj planin tënd që infermierja dhe një shofer dhe ti vetë, të mos largohesh as një sekondë. Bëni planin me spitalin ku do vesh me profesorin (francez) që je marrë vesh në rast urgjence, ku do drejtohesh, të të lidhi me ndonjë asistent të aftë në mungesë të tij që ta gjesh gati ose me ndonjë profesor tjetër të besimit të tij. Ose merru vesh me Miliezin (prof. francez Pol Miliez) qysh më parë për rastin e ndonjë urgjence extreme, ditën ose natën përderisa të shtrohet që mos jeni të kapur në befasi. Kur të shtroheni shiko të lidhesh në rastin e ndonjë urgjence të paplanifikuar me profesorin e klinikës ose në mungesë të tij me ndonjë asistent më të aftë, se gjatë rojës mund të jetë ndonjë kirurg i dorës së dytë.

Në qoftë se nga një ose dy profesorë që do të vizitohet (shikoje këtë vetë ose konsultohu me Miliezin po të ketë divergjenca për kohën e ndërhyrjes, mos shkruaj këtu për të marrë mendim. Nuk do të dijë dhe nuk mund të vendosë kjo këndej. Të vendosi konsulta, bisedo me Miliezin) Nuk duan të dinë për divergjencat e profesorëve.

Të vendosi dhe të bëhet si të mendojë konsulta (Po pati divergjenca, opinionesh bisedo edhe me Miliezin, a Netterin (profesor Netter, Gjinekolog) ju e dini ‘Ne nuk duam të dimë’. Kaloritë dietën, ti ato i di dhe i bën vetë. Për çështjen e anestezisë, ki kujdes shiko mos ka pasur ndonjë alergji. Bisedoje këtë edhe me dr. B.

Ne duam që të lindi mirë dhe interesohemi shumë edhe për fëmijën, veçse në rast që do ishte e domosdoshme të ndërhyhej para kohe për të evituar rrezikun e një komplikacioni eventual, të rëndë të mëmës, natyrisht mbi të gjitha e mbi çdo gjë na intereson jeta e mëmës. Pas lindjes është e preferueshme që të mendohet fëmija nga nëna e vet po të ketë qumësht. (Mos ti shtohet ushqimi mbi 1,800 kalori se bëhet më obeze). Në qoftë se nuk do të ketë qumësht ose do e ketë të pamjaftueshëm nuk do kemi kundërshtim për ndonjë taje. Kjo nuk ka nevojë të shtrohet në spital, mund të mbahet në shtëpinë e pritjes. Rregulloje këtë me Sulon se ai i di këto punë.

Në qoftë se ju planifikojnë ditën kur do të ndërhyjnë, nuk duam ta dimë në asnjë mënyrë ditën ekzakte se kur. Nuk duam të rrimë me ankth. Mund të thuhet ndoshta vetëm ka mundësi që brenda këtyre 10 ditëve prej kaq deri kaq, por jo ditën. Mos i thuaj asnjërit këtu se nuk duam të na e thonë. Kur të ketë përfunduar mirë çdo gjë na jep sihariqin. Mos e shëtit tashti as me makinë, veçse kur të ketë nevojë për analizat. Për nisjen këtu duhet të siguroheni mirë që fëmija ka mundësi të udhëtoj. Merr masat e gatishmërisë për çdo të papritur të befasishme…”

Letra dukej sikur po ta shtrydhje kullonte alarm, ankth, frikë, pasiguri, tersllëk, befasi. Të gjitha bashkë krijonin stres kur e lexoje, por pasqyronin shqetësimin dhe preokupimin e mirëkuptuar e të pritshme prej një nëne. Për fat të mirë, në këtë rast çdo gjë shkoi mirë. Asnjë nga ato ndërlikime të papritura që parashikonte Nexhmija, si nënë e shqetësuar, nuk ndodhi. Por shumë nga ato që ajo porosiste nuk u zbatuan, sepse ishin të pazbatueshme.

Në spitale publike, ku u shtrua e sëmura, nuk zgjidhej dot cili mjek do të jetë roje dhe as zgjedh dot mes anëtarëve të një ekipi mjekësor cili prej asistentëve është më i zoti sesa të tjerët. Edhe sikur t’i identifikonim ata me çfarë tagri do i kontaktonim dhe do t’i urdhëronim? Në Shqipëri një fjalë e saj mund të ngrinte në këmbë në çdo orë të ditës dhe të natës secilin nga ne mjekët. Por jo në Paris. Dhe jo mjekët francezë. Aq më pak ishin realiste mundësitë e konsultimit me eminenca mjekësore me famë ndërkombëtare, siç ishte prof. Miliezi apo prof. Netter, për t’u marrë mendime sa herë të na duhej ne, për probleme të tilla rutinore apo organizative që stononin me rangun dhe interesat profesionale dhe shkencore të tyre.

Kur e lexova letrën për Pranverën në Paris, më përfshiu edhe mua ankthi. Sikur ndonjë nga ato aksidente që Nexhmija parashikonte të ndodhte vërtet për shkak të mosndjekjes e plotësimit të porosive të saj, do të ishte me pasoja për ne që e shoqëronim të bijën. Një episod i vështirë, me të papritura për mua, ishte kur në takimin e parë që pata me profesor Miliezin, fill pa mbërritjes sonë në Paris, ai propozoi si obstetër–gjinekolog për t’u marrë me rastin e Pranverës, të birin e tij, dr. Zhak Miliez, i cili, disa kohë kishte punuar në Algjeri, ku edhe ishte martuar me një vendase dhe vetëm vonë ishte kthyer në Paris. Unë u stepa. Në rininë e tij Zhaku njihej disi si rebel, nga ata hipitë me mjekër, që kur vinin si turistë në Shqipëri i detyronim ta rruanin mjekrën që në aeroport. Ndonëse tashmë i pjekur, baba me tri vajza, ai ende nuk kishte grada e tituj shkencorë e pedagogjikë. Pritshmëritë dhe pretendimet e prindërve të Pranverës ishin përkundrazi, që rasti i saj t’i besohej një profesori specialist me emër të madh. Zhaku nuk ishte i tillë. Nga ana tjetër, zgjedhjen ata ia patën lënë në dorë Miliezit si mik. Çfarë përgjigje të jepja?

Po ta refuzoja propozimin e Miliezit mund të qortohesha nga prindërit e Pranverës se kisha ofenduar një mik të Shqipërisë. Po ta pranoja mund të qortohesha për të kundërtën po nga ata, pse ia besova pacienten një mjeku të rëndomtë, pa prestigj të lartë profesional. “Pse për një doktor si Zhaku e dërguam nvajzën deri në Paris?”

Profesor Miliezi, psikolog dhe diplomat i thekur, me sa duket e pikasi hutimin dhe mëdyshjen time: “Unë mendova si më mirë e për më shumë siguri të merrej me pacienten dikush i familjes, por edhe që ta dini Zhaku punon në një ekip me profesor Suron, i cili është një nga eminencat e obstetrikë–gjinekologjisë franceze. Mund t’ia lëmë në dorë edhe vetëm profesor Suros, por…” Pati një pauzë hezitimi, pastaj, me ton dashamirës, të përzier me pasiguri, tha: “Mirëpo është diçka që duhet t’ua them: i ati i Suroit ka qenë kolaboracionist me gjermanët (Miliezi vetë, përkundrazi, pat qenë gjatë luftës aktivist i shquar i rezistencës). Kjo, për ne në Francë, është non sens, nuk përbën asnjë problem, por nuk di sa e pranueshme do të ishte kjo zgjedhje nga prindërit e saj.” Dhe pasi tha këtë, ngriti energjikisht kokën sikur po më testonte duke më parë si me ironi në sy.

Unë nuk u surprizova. “Mëkatet biografike” të trashëguara në familje vlenin për luftën e klasave në Shqipëri, kurse Franca dhe bota e qytetëruar kishte dekada që nuk merrej me to. Përfshirja e profesor Suros më ngrohu. U ndjeva i çliruar. Binomi “Suro – Zhak” na i siguronte të dyja: “Ekspertizën e duhur dhe Miqësinë të pacenuar”. Ishte zgjidhje ideale. Disi i ngazëllyer iu përgjigja shkurt, por menjëherë: “Shumë mirë zoti profesor. Ju falënderoj thellësisht”. Në mbrëmje, në komunikim telefonik me Nexhmijen, e vumë në dijeni për çka vendosëm. Fillimisht edhe ajo u habit për zgjedhjen e Zhakut nga Miliezi, por fatmirësisht nuk pati asnjë objeksion për t’ia lënë në dorë problemin e së bijës djalit të kolaboracionistit…

Atëherë pata admirim për këndvështrimin e duhur të saj. Zemra e dhembshur prej nëne doli mbi parimet e ngurta të militantes. Por shumë vite më pas, kur u mësua qëndrimi që Nexhmija kishte mbajtur ndaj një nëne tjetër, Liri Belishovës, ish-udhëheqëse komuniste dhe shoqe lufte e saj, tashmë e internuar, e cila i qe lutur përmes një letre Nexhmijes, si grua e nënë, që ta ndihmonte ta lejonin të vizitonte e t’i qëndronte pranë vajzës së saj, që po ndahej nga jeta në moshë shumë të re nga një sëmundje e pashërueshme në Spitalin Onkologjik të Tiranës, m’u duk e pabesueshme që Nexhmija ta kishte refuzuar.

Për fat të keq, kjo pat ndodhur vërtet. Përtej të gjitha dallimeve dhe ndasive mes tyre, amësia ishte ndjenja instiktive që i bashkonte ato dy gra të pazakonta. Nuk di të them pse ndodhi ashtu. Pse Nexhmija zgjodhi të tregohej ndaj saj militante, e ngurtë, e rreptë, ndërkohë që e kisha parë të falte dhembshuri si grua, si nënë, si vjehërr, si motër dhe si gjyshe.

I zhgënjyer e i befasuar, nuk di si ta shpjegoj atë që ndjeva, e akoma më pak si ta justifikoj atë qëndrim të NexhmijesSi qenkej përzier dhembshuria drithëruese prej gruaje dhe nëne për fëmijët dhe të dashurit e saj brenda të njëjtës zemër tek i njëjti person, me egërsinë e dufin inatçor prej militanteje të indoktrinuar ndaj një nëne tjetër aq shumë fatkeqe?

Ndoshta rrezja e ndjenjave altruiste dhe pozitive të saj, e shtrirë gjerësisht me dalldi në vitet e rinisë, ishte tkurrur nga dështimet dhe zhgënjimet e “tradhtive” të përjetuara dhe ishte kufizuar vetëm brenda rrethit të ngushtë familjar e fisnor të saj. Dhe të besnikëve të sinqertë, tashmë aq të rrallë.

Libri BLLOKU/