Si në Bosnje ashtu dhe në Kosovë, Serbia e Vuçiqit po shtyn një program të rrezikshëm

06.04.2018 18:39:42
Si në Bosnje ashtu dhe në Kosovë, Serbia e Vuçiçit po shtyn një program të rrezikshëm dhe askush nuk duket se ka ndërmend ta ndalojë.
Për më shumë se një dhjetëvjeçar, “procesin e normalizimit” midis Kosovës dhe Serbisë e ka penguar krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë (AKS).

Ideja lindi pas një krize të shkaktuar nga qeveria serbe e Boris Tadiqit, dhe që atëherë ka qenë si halë në fyt për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidentët Thaçi dhe Vuçiç u takuan në Bruksel pas shumë kohësh, për të diskutuar “për të ardhmen” e vendeve të tyre, por që të dy u kthyen në shtëpi të zhgënjyer.

Vuçiç tha se kishin “plot 1600 ditë që vazhdonin të njëjtin dialog”, dhe se “shqiptarët nuk e kanë mbajtur kurrë fjalën, meqë AKS nuk është krijuar ende, ndërkohë që Serbia i kishte përmbushur të gjitha detyrimet e saj”.

Siç jemi mësuar shpesh, konceptet e kohës, të fakteve dhe të vërtetave në mendjen e Vuçiçit nuk përputhen domosdoshmërish me kuptimin që mbart secila fjalë.

Në mendjen e tij, Vuçiç ka 1600 ditë që pret me durim në Bruksel që Thaçi t’i thërrasë arsyes, ndërkohë që vetë ka bërë gjithçka që i ka thënë Brukseli. Serbia “ka pranuar gjithçka”, dhe ka kërkuar vetëm një “vogëlsirë” si AKS për ta mbyllur gjithë marrëveshjen. Por, siç thotë Vuçiç, “shqiptarët refuzojnë të përgjigjen e të zbatojnë pjesën e tyre të marrëveshjes”.

Pasi u kthyen mes njerëzve të tyre, si Vuçiç, ashtu edhe Thaçi, vendosën se kishte ardhur koha të bënin pak pushim. Kështu, fare rastësisht, të dy shkuan në Nju Jork, secili me itinerare sekrete.

Kur ky fakt u zbulua, të dy presidentët e mohuan se ishin takuar me njëri-tjetrin në Nju Jork. Vuçiç tha se kishte shkuar për të vizituar libraritë e Nju Jorkut, ndërsa Thaçi tha se kishte shkuar për të promovuar një libër të ri.

Foto: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Prishtinë, Kosovë, 2017. Foto: EPA/VALDRIN XHEMAJ

Megjithatë, mediat rajonale spekuluan se të dy presidentët ishin takuar në Nju Jork për të diskutuar fshehurazi për ndarjen e territorit të Kosovës, gjë që të dy e mohuan, natyrisht.

Pak para turneut nëpër libraritë e Nju Jorkut, Vuçiç përkujtoi 19-vjetorin e sulmeve të NATO-s në Jugosllavi. Gati 20 vite më vonë, mediat serbe vazhdojnë ta portretizojnë ndërhyrjen e NATO-s njësoj siç bëhej në kohën e Sllobodan Millosheviçit: “agresioni i NATO-s kundër Serbisë”, dhe “sulmi i padrejtë ndaj njerëzve të paarmatosur”, si dhe shprehje të tjera boshe nga repertori propagandistik i Milosheviçit.

Çfarë ndodhi që gjërat shkuan deri aty sa Serbia të bombardohej është pyetja thelbësore që as nuk e bën dhe as i përgjigjet njeri. Ndoshta do të kemi më shumë fat vitin tjetër. (Nuk do të kemi.)

Ja çfarë ndodhi, me pak fjalë, dhe sado t’i përdorë Vuçiç viktimat e luftës që nisi Serbia, faktet nuk fshihen dot: Serbia u bombardua që më në fund të ndalonte gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës. Pavarësisht ndërhyrjes,  edhe gjatë 11 javëve që vazhduan bombardimet e NATO-s, forcat serbe vazhduan të dëbojnë më shumë se 800,000 kosovarë dhe vranë më shumë se 6900 persona.

Foto: Aleksandër Vuçiç gjatë përkujtimit në Aleksinac, 2018. Foto nga Beta

Siç i mbajmë mend të gjithë ato kohë të hidhura, “Perëndimit” i mungoi aftësia për të ndërmarrë masa vendimtare kundër Milosheviçit deri në vitin 1999. Deri atëherë, ai dhe njerëzit që e rrethonin kishin përdorur burimet e Serbisë, ushtrinë dhe mjete të tjera shtetërore për të shkatërruar Jugosllavinë e për të kryer krime të panumërta lufte, gjenocide e krime kundër njerëzimit.

Megjithatë, bashkësisë ndërkombëtare i sosi më në fund durimi në vitin 1998 dhe nisi ndërhyrja e NATO-s. Deri më atëherë ata kishin besuar se Milosheviçi do t’i thërriste logjikës.  Ia vlen të kujtohet se “Perëndimi” e lejoi Milosheviçin të spastronte edhe Bosnjën, duke i bombarduar pozicionet serbe vetëm në vitin 1995, kur ishte shumë vonë dhe pasi ishin kryer një sërë gjenocidesh.

Ndërhyrja e NATO-s e la Serbinë të dërrmuar, me shumicën e infrastrukturës të shkatërruar e me një ndjenjë të fortë anti-perëndimore që përhapej në popull.

Sigurisht që kjo mbështetej nga Milosheviçi dhe pasardhësit e tij, të cilët, të gjithë bashkë, e mposhtën perëndimin të paktën me një gjë: me perceptimin e publikut për atë që ndodhi dhe se përse ndodhi.

Narrativat helmuese që mbizotërojnë edhe sot në jetën publike po vazhdojnë ta lënë Serbinë në një gjendje gënjeshtrash dhe vetë-iluzionimi. Gënjeshtra që nuk kundërshtohen nga askush, përveç nja 10 individëve të margjinalizuar nga shoqëria, nga OJQ apo media që sulmohen ditë pas dite si tradhtarë apo si mercenarë të huaj.

Narrativat e ngjashme me ato të Milosheviçit janë shtuar edhe më tepër kohët e fundit, me përhapjen e mediave dhe organizatave të sponsorizuara nga Rusia, shumë prej të cilave janë kthyer në burime kryesore informacioni për serbët dhe që mbushen me lajme dhe opinione nga persona që shërbejnë si zyrtarë të lartë në institucionet e shtetit.

Sot po dëshmojmë edhe një herë paaftësinë e dhimbshme të atyre që e quajnë veten “paqeruajtës” të Ballkanit.

Foto: Mur në periferi të Beogradit, në vitin 2016, me një vizatim të gjeneralit serb, Ratko Mladic, komandant Serbo-Boshnjak gjatë kohës së luftës i dënuar për krime lufte: EPA-EFE/KOCA SULEJMANOVIC

Le të marrim Bosnjen si shembullin më të dukshëm. Milorad Dodik, nga Republika Serbe në Bosnje, me mbështetje të hapur nga Serbia dhe Rusia, ka vite që vepron i shfrenuar, duke u hequr boshnjakëve të drejtën për të pasur një jetë normale e duke kërcënuar paqen e brishtë në vend. Një episod i fundit ishte parakalimi i motoristëve paraushtarakë të Putinit, “Ujqit e Natës”, në të gjithë territorin e Bosnjës.

Media perëndimore e përshkruan si një ngjarje qesharake.

A thua se Bosnja nuk kishte vuajtur mjaftueshëm nga paaftësia e perëndimit për t’i parë gjërat që u ndodhin para syve.

Situata është mëse e qartë për ata që duan të shohin: Sipas të gjitha raportimeve, Republika Serbe po armatos popullin, po e stërvit rininë për konflikte të ardhshme dhe po kërcënon të ndahet nga Bosnja, me mbështetje nga Serbia dhe nga Rusia.

Dodik ka këmbëngulur disa herë kohët e fundit se Bosnja nuk është shtet i vërtetë, edhe pse Marrëveshja për Paqe e Dejtonit në vitin 1995 e përkufizon Bosnje-Hercegovinën si një vend të pavarur e të bashkuar.

Bosnja është gjithashtu edhe në OKB, por Dodik s’do t’ia dijë për faktet. Do t’ia dijë vetëm për të ushqyer idenë e Milosheviçit në mendjet e serbëve, atë që “Republika Serbe po pret për rrethanat e përshtatshme historike për t’u bashkuar me Serbinë”.

Edhe sa kohë ka ndërmend “bashkësia ndërkombëtare” ta lejojë Dodikun dhe Vuçiçin që të kërcënojnë ekzistencën e Bosnjës, me ndihmën e Rusisë? Çfarë po presin? Një luftë tjetër?

Teksa koha kalon dhe separatistët në Republikën Serbe të Bosnjës vazhdojnë të marrin fuqi, burime, popullaritet dhe armatime, duke shtuar në të njëjtën kohë një diskriminim të paprecedentë ndaj boshnjakëve dhe etnive të tjera jo-serbe, besoj se luftën do ta arrijnë vërtet, herët a vonë. Dhe nëse ata vendosin më pas të reagojnë, a nuk do të ishte shumë vonë?

Meqë jemi në këtë temë, lejomëni t’ju jap disa shifra: gjatë muajit Mars Dodiku e ka vizituar Serbinë pesë herë. Në fakt, ka qëndruar më shumë në Beograd se sa në Banja Luka dhe ka dhënë shumë intervista në mediat vendase. Me ato intervista tepër të gjata, pa asnjë lloj rezistence nga gazetarët, ai ka shpërndarë gënjeshtra dhe propagandë që i sjellin dobi vetëm planit të tij, një plan që ai e deklaron shumë haptazi: ndarjen nga Bosnja.

Foto: Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, 2014: EPA/ALEXEY NIKOLSKY /RIA NOVOSTI / KREMLIN POOL MANDATORY CREDIT / RIA NOVOSTI

Është ende e paqartë se për sa kohë do të tolerohet kjo, por duke gjykuar nga raportimet e fundit nga BE dhe SHBA, askujt nuk i duket si ndonjë gjë e madhe. Por a nuk ju kujton kjo fillim-vitet 1990, kur perëndimorët besonin se “Jo, s’kanë për të guxuar të sulmojnë”. T’jua kujtojmë pak: ata guxuan, dhe ajo që ndodhi më pas ishte një dhjetëvjeçar masakrash, dhe ju duhet ta dinit këtë tashmë.

Le të kthehemi te nyja Serbi-Kosovë. “Dialogu i brendshëm për Kosovën”, nisma e vështirë që u ndërmor vjet nga Presidenti Vuçiç, tani ka marrë fund. Është e paqartë se çfarë nënkuptonte ky dialog apo se cilët ishin pjesëmarrësit.

Duket se Vuçiç ka pasur një dialog të brendshëm për Kosovën, por vetëm me veten e tij. Publiku është përjashtuar nga procesi i reflektimit, duke e lënë Vuçiçin si bashkëbiseduesin e vetëm në dialogun që nisi po vetë.

Vuçiç u përpoq shumë që “të përmirësojë gjërat për fëmijët tanë”, por nuk është i përgatitur “të heqë dorë nga beteja” me aq lehtësi.  Pra, Vuçiç vendosi të bëjë atë që Vuçiçi bën më mirë, të çojë gjithçka dëm duke shkaktuar kriza dhe duke e nxehur situatën deri në pikën që s’mban më.

Pas kthimit nga Nju Jorku, Vuçiç vendosi të marrë masa e t’i shkundë pak gjërat. Dërgoi në Kosovë njeriun e tij, Marko Gjuriçin, drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metijohinë në qeverinë e Beogradit, edhe pse Kosova ia kishte ndaluar Gjuriçit vizitën në vendin e tyre.

Gjuriçi ndenji me orë të tëra në “Mitrovicën e Veriut”, duke pritur me durim që policia e Kosovës të vijë e ta arrestojë “fare papritur”. Një media serbe e kishte botuar lajmin për arrestimin e tij që para se të ndodhte vërtet.

Me një teatër që dukej i inskenuar bashkërisht nga Vuçiç dhe Thaçi, Gjuriçi u mor “barbarisht” në Prishtinë dhe më pas u ekstradua në Serbi, ku, natyrisht, mbajti menjëherë një deklaratë për shtyp.

Gjuriçi doli me gjakftohtësi në publik, i zbehtë në fytyrë e me krahët hapur, duke treguar fashat në duar, a thua se kishte qenë gozhduar në ndonjë kryq, ndërkohë që media shpërtheu me komente nxitëse se si “terroristët në Kosovë i kishin rënë në qafë serbit të paarmatosur”.

Foto: Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, flet gjatë një konference për shtyp në Beograd, 2018:  EPA-EFE/ANDREJ CUKIC

Në këtë rast vlen të përmendet një tjetër detaj: një ditë pas konferencës dramatike për shtyp, në të cilën shpjegoi se si e gjithë Serbia ishte poshtëruar nëpërmjet vuajtjeve të tij, Gjuriç mori pjesë në një tjetër ngjarje publike, këtë herë pa fasha, me duart mëse të shëndetshme dhe me fytyrën që i ishte kthyer në ngjyrë normale. Politikanët serbë njihen për aftësi të dobëta aktrimi, pasi i shoqërojnë numrat me të bërtitura të ekzagjeruara, me seriozitet të shtirur dhe me frymëmarrje të shpeshta, por aktrimi i Gjuriçit ishte edhe më zhgënjyes.

Pavarësisht kësaj, Vuçiçi e mori atë që donte: hapësirë të pafundme në media për të bërtitur kundër padrejtësive; telefonatën me Putinin që “zgjati më shumë se një orë”, dhe përhapjen e histerisë në publik. Përfaqësuesja e BE-së, në anën tjetër, duke dashur të bëjë atë që mendonte se pritej prej saj, e vizitoi Beogradin menjëherë, edhe pa e pasur në plan, dhe pasi dha një deklaratë të shkurtër pajtuese që s’e dëgjoi njeri,  u nis të kthehej andej nga erdhi. Në anën tjetër, po të mos rrezikosh do të thotë që s’do të marrësh fare mbështetje nga zgjedhësit serbë. Prandaj, opozitarët pro-demokratikë ngritën zërin dhe “dënuan veprimet e Prishtinës”, duke kontribuar kështu me zhurmën që kishte krijuar Vuçiçi.

Kjo vetëm sa i dha Vuçiçit më shumë karburant për të ngritur helikopterë në kufirin me Kosovën dhe për të mbajtur manovra ushtarake me 900 trupa, të cilët stërvitesh për një skenar të mundshëm “se si do të reagonte ushtria po të përpiqej një grup rebel të ndante pjesë të territorit serb”.

Pse gjithë kjo zhurmë? Mbase sepse kjo është mundësia e vetme për të krijuar probleme të vërteta, probleme që do t’i zgjidhë po vetë në vitet që do të vijnë.

Është e qartë që Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë është paramenduar si një version i Republikës Serbe në Bosnjë. Asociacioni do të bëhet një proto-shtet që shërben si burim trazirash brenda kufijve të një shteti të bashkuar, duke u përpjekur gjithnjë të ndahet e të bashkohet me Serbinë, me të cilën do të kenë “lidhje të veçanta”, duke kthyer në makth qeverisjeje atë që fare mirë mund të kishte qenë një shtet funksional.

Kjo po funksionon shumë mirë në Bosnje, pse të mos funksionojë dhe në Kosovë?

Që kjo të ndodhë, nevojitet një konflikt i vërtetë ose të paktën mundësia bindëse se mund të ketë konflikt. Por meqë Vuçiçit po i mbarojnë manovrat, (të cilat nuk funksionuan), duke gjykuar nga veprimet e fundit që ka ndërmarrë Serbia me ndihmën e Rusisë, them se nuk jemi larg një konflikti të kontrolluar, diçka që nuk është se nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë pjesë të botës.

Mjafton një shkëndijë e vetme që gjithë rajoni të shpërthejë në flakë, dhe kësaj duhet t’i druhemi që të gjithë.

Historikisht, Marsi ka qenë muaji më i shëmtuar në Ballkan. Nëse nuk bëhet gjë për ta ndryshuar këtë rrymë të rrezikshme tani shpejt, muaji që sapo kaloi mund të shihet një ditë si “koha kur mund të ishte zgjidhur gjithçka, po të ishin dhënë reagimet e duhura”.

Të shpresojmë se Prilli do të sjellë reagime më të mirinformuara e më vendimtare nga ata që ende kanë mundësinë të mos i lejojnë “të fortët” e Ballkanit të nisin një tjetër krizë me pasoja afatgjata. Sepse tani jemi vetëm një gjysmë hapi larg konfliktit.

Milos Ciric, BIRN, Beograd