Silva Bino ‘heq panikun’ për infektimin e Piperos: Nuk është efekt anësor i vaksinës

28.01.2021 00:07:15

Drejtoresha e Institutit Shëndetësor Publik, Silva Bino, në një lidhje skype mbrëmjen e sotme në studion e Open në Top Channel, tha se rasti i Pëllumb Piperos nuk ka të bëjë aspak me efekt anësor të vaksinës.

Ajo tha se Pipero është infektuar, dhe nuk është si pasojë e ndonjë efekti që mund t’i ketë dhënë vaskina.

“Unë e binda Piperon të bëjë tamponin, nuk është efekt anësor, se po gabojnë në terma, këtu bëhet fjalë për një infektim. S’ka të bëjë me efektet anësore të vaksinës. Dua ta sqaroj këtë se është folur shumë. Efektet anësore të vaksinës lidhen me temperaturë e dobësi që vaksina mund të shkaktojë dhe këto janë efekte të lehta anësore se janë studiuar e vërtetuar. Ne nuk kemi pasur raste të efekteve anësore të rëndësishme. Por efekte tepër të lehta. Mos ngatërroni efektin anësor me rastin në fjalë.

Pfizer vetë do që dozën e dytë të vaksinës ta japë pas 3 javësh. Edhe pas dozës së parë mund të mos kem100% antitrupa, dhe jo të gjithë njerëzit reagojnë njësoj. Prandaj janë rivaksinimet në disa doza,” tha Bino.