Sindikalistët e arsimit kërcënojnë me grevë

Sindikalistët e arsimit kërcënojnë me grevë

01.02.2017 14:24:19

SBASHK-u nëpërmjet një komunikate për media tregon se greva në këtë sektor është më afër se kurrë.

“SBASHK reagoi me kohë ndaj Projektligjit për pagat ngase ai në versionin aktual ishte degradues për profesionin e mësuesit dhe për arsimin në tërësi. SBASHK-u i bëri me dije edhe Kryeministrit Mustafa  dhe Ministrave Yagcilar e Bajrami qëndrimin kundërshtues  ndaj projektligjit dhe pastaj edhe filluan takimet dhe konsultat”, thuhet në reagim.

Në këto takime SBASHK-u prezantoi qëndrimin e vet duke e mbështetur në fakte e argumente  dhe ato i ka drejtuar institucioneve më të larta të Kosovës   me qëllim që gabimet e lëshuara në Projektligjin për pagat të përmirësohen  sipas propozimit tonë që e kemi dhënë duke u mbështetur në legjislacionin që është në fuqi dhe veçanërisht në vendimin e Qeverisë nr. 01/33  të datës 29.08. 2008. Letrën e kemi përcjell te Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministri Isa Mustafa, Zv/Kryeministri Hajredin Kuçi dhe te  Ministrat Bajrami e Yagcilar.

“I gjithë ky aktivitet tregon se SBASHK-u është  në shërbim të arsimit dhe provon që kërkesat legjitime të anëtarësisë t’i zgjedh me dialog për çka edhe u  ka dërguar vazhdimisht ftesa përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës , mirëpo  kujtojmë se është  vendim i Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që nëse institucionet nuk reflektojnë si duhet, atëherë  SBASHK-u do të nis me veprime sindikale”, thuhet në reagim.

Pa dashjen e SBASHK-ut thuhet më tutje në këtë reagim grevë mund të ketë edhe për arsye se marrëveshja në takimin me kryeministrin Mustafa që MASHT, MPMS dhe MF  të ulen me përfaqësuesit e SBASHK –ut e të gjejnë zgjidhje të pranueshme  lidhur me ligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve 90 nuk ka dhënë deri tani rezultate sepse ka munguar vullneti i Ministrisë së Financave.