Sindikata e Punëtoreve e RTK-së është e shqetësuar me gjendjen e rëndë financiare e cila vazhdimisht po e përcjell mediumin e vetëm Publik në vend, RTK-në
“SPERTK edhe njëherë ia rikujton Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së se është koha e fundit për ta miratuar ligjin për RTK-në, ta sigurojë formën e përhershme dhe të pavarur të financimit të RTK-së, ta sigurojë pronën dhe të ndihmojë në digjitalizimin e RTK-së, proces të cilin mediumet publike në vendet e rajonit e kanë përfunduar qysh moti.
SPERTK ia rikujton Kuvendit të Kosovës së teknika që e përdor RTK, tashmë i ka kaluar të gjitha afatet e parapara dhe në çdo moment pritet edhe mosfunksionimi i saj.
SPERTK gjithashtu kërkon përgjigje nga Komisioni për Medie në Kuvendin e Kosovës arsyet e zvarritjes së mosmiratimit të Ligjit për RTK-në.
SPERTK po ashtu kërkon përgjigje nga Komisioni për Medie pse nuk po i merr parasysh rekomandimet e EBU-së dhe ato të konferencave të organizuara nga OSBE rreth financimit të Transmetuesit Publik – RTK.
SPERTK fton të gjithë aktorët të marrin masa sa më shpejt për ta shpëtuar RTK-në nga kolapsi financiar dhe teknik.
SPERTK kërkon gjithashtu edhe nga menaxhmenti i RTK-së që të jetë më i zëshëm në këto kërkesa si dhe ta respektojë çdo rekomandim të Auditorit të Brendshëm rreth punësimeve të reja në RTK, në mënyrë që mos të rëndohet edhe më tej buxheti i RTK-së”, thuhet në reagimin e SPERTK-së






































