S’ka kuorum, Platforma për dialogun s’kalon në Komisionin për Punë të Jashtme

25.02.2019 16:09:04

Platforma për dialogun me Serbinë, në mungesë kuorumit, nuk ka kaluar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ndërsa me 5 vota për dhe 4 vota kundër, projektligji për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me shtetin fqinj kaloi në lexim të dytë në seancën e radhës.

Me këtë rast, platforma për dialog u kritikua ashpër nga anëtarët e partive opozitare, duke theksuar se ky dokument nuk e ruan shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, kishte kritika të shumta për platformën e dialogut me Serbinë, pasi saj, ka probleme të mëdha pasi nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Osmani bëri të ditur se kjo platformë nuk e trajton rolin e institucioneve tjera shtetërore, siç thotë ajo, presidenti nuk ka të drejtë të krijojë pozicione, por vetëm t’i mbrojë pozicionet e qeverisë.

Sipas saj, në platformën e dialogut është një pikë që Kosova pa arritur marrëveshje me Serbinë, nuk mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtarë dhe agjencitë e huaja. Kjo sipas saj, është e dëmshme dhe e papranueshme.

“Pa kaluar ligji për dialogun, çdo dokument është i pavlefshëm”, tha Osmani.

Për deputetin e VV-së, Glauk Konjufca, në këtë platformë qeveria nuk pozicionohet qartë karshi pozicioneve që i ka presidenti në këtë platformë.

“Duhet të ketë vetëm një platformë. Ajo është se qysh me ndalë presidentin Hashim Thaçi t’i ndalojë qëllimet e tij për ndarje të Kosovës”, tha ai.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi, kishte akuza ndaj anëtarëve të këtij komisioni, pasi sipas saj, në asnjë moment nuk është thënë se do të ketë ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha, u shpreh se platforma dhe vetë ligji për dialogun është përpjekje për t’i dhënë fuqi institucioneve të Kosovës karshi situatës në të cilën ndodhet vendi.

Ndërsa, nënkryetarja e komisionit, Time Kadrijaj, tha se kjo platformë dhe ky ligj e siguron Kosovën e 17 shkurtit me kufijtë, territorin dhe sovranitetin.