S’ka rrezik nga Rusia, thotë komandanti i KFOR-it

02.03.2018 18:22:18
“Nuk mendoj se do të ketë probleme në Ballkan. Nuk ka kërcënim të vërtetë deri tani. Ka prezencë ruse dhe të NATO-s, por nuk ka rrezik”

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, ka thënë se nuk ka rrezik nga ndikimi militar rus në Ballkan dhe as në Kosovë, por se nëse diku ka prezencë, forcat paqeruajtëse po e trajtojnë.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se situata në vend, me theks të veçantë ajo në veri, është e qetë dhe stabile, dhe se e tillë po punohet të mbetet.

“Ne jemi duke u kujdesur për të gjithë qytetarët e Kosovës në të njëjtën mënyrë. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviq ne e kemi rritur prezencën në veri, i kemi rritur patrullimet dhe po fluturojmë përmbi Mitrovicë. Kemi pasur takime me kryetarët e të dy komunave, në veri dhe në jug, dhe të dy na kanë premtuar se do të punojnë drejt krijimit të një situate të qetë atje”.

“Për momentin situata është e qetë dhe stabile. Ne mund të vlerësojmë se nuk ka ndonjë kërcënim të madh tani. Natyrisht, çdoherë intervenojmë kur ndodhë diçka, për të garantuar ambient të sigurt. Policia e Kosovës është e para që reagon, EULEX pastaj, ndërsa KFOR është shkalla e fundit në nivel reagimesh”.

“Nuk mendoj se do të ketë probleme në Ballkan. Nuk ka kërcënim të vërtetë deri tani. Ka prezencë ruse dhe të NATO-s, por nuk ka rrezik. Ne kemi raporte të mira me të gjitha entitetet në rajon. Kemi raporte me Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. I gjithë përkushtimi dhe angazhimi ynë është për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Nëse ka prezencë ruse(në veri të vendit), ne jemi duke u kujdesur për të”.