SKEMA POLITIKE E SKEMA PIRAMIDALE NË ARSIM

15.07.2019 18:33:30

Nga: Muhamet Hamiti

Një sërë universitetesh politike janë ngjizur në Kosovë si skema politike, në stinë elektorale, në radhë të parë nga PDK-ja, partia pushtetare e dekadës sē vjetër që po e synon edhe Dekadën e Re. Premtohej hapja e universiteteve publike në provinca siç premtohet në fushatë asfaltimi i një rruge fshati. U bënë për vota. Militantët partiakë u bënë profesorë, dekanë e rektorë, siç u pa edhe në këto ditë vere. Për meritat e tyre politike, jo akademike, se këto u mungojnë.
Tash u bë e qartë për këdo – se profesionistët me dinjitet e kanë ditur prej fillimi- se këto skema politike-arsimore nuk i përballojnë standardet elementare akademike ndërkombëtare. Këto çerdhe ‘kombëtarizmi’ provincial, po të ishte në dorën e licensuesve politikë, do të ruanin akreditimin. Para standardeve akademike bien, siç bien skemat në fund të fundit.
Një pjesë e konsiderueshme e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë mbajnë parashenja të qarta të skemave piramidale. (Pagesa është kusht, por jo provimi pranues për t’u regjistruar në këto ente, ta zëmë.) Edhe rënia e tyre është e paevitueshme.
Është kohë e fundit që të vihet rend në arsimin e Kosovës, që është qeverisur e po qeveriset keq tash e një dekadë.
Duhet të bjerë Qeveria, ndërsa promovuesit e skemave të ndyra politike-piramidale në arsim të ndëshkohen me votë.
Këta që janë në pushtet tash e kanë katandisur Kosovën keq në të gjitha fushat.
Është e pritshme rezistenca e kësaj kaste pushteti ndaj çdo përpjekjeje për të vendosur standarde në arsim, kulturë, ekonomi. Në çdo fushë të jetës institucionale.