Skenderaj, sulmojnë policët, arrestohen dy persona

02.08.2016 11:33:02

Në orët e pasdites së djeshme Policia në Skenderaj ka arrestuar dy persona të dyshuar, për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’.

Sipas Policisë, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 16:00 në njërin nga fshatrat e zonës së Skenderajt, në kohën kur zyrtarët policorë i ishin përgjigjur një thirrje emergjente në një rast dhunë familje, ku dy të dyshuarit përveç pengimit dhe mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, kanë sulmuar fizikisht dy zyrtarët policorë.

Policia njofton se dy personat e dyshuar janë arrestuar, ku pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit publik, janë liruar për procedurë të rregullt.

Ndaj tyre është iniciuar vepër penale ‘sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare’.