Socialistët Evropianë mbështesin zgjerimin e BE-së në Ballkan

06.05.2020 17:59:12

Pak para nisjes së samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, dhe si shenjë e përkushtimit ndaj procesit të zgjerimit, Grupi i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, miratuan një Deklaratë në përgatitje të samitit të Ballkanit Perëndimor.

Grupi mirëpret organizimin e samitit virtual, duke theksuar se me këtë dëshmohet interesimi i përhershëm i BE-së për rajonin dhe gatishmëria për të përmbushur përkushtimet dhe ambiciet edhe në këto kohëra të vështira.

“Gëzohemi që Bashkimi Evropian ia ka dalë të pajtohet në disa iniciativa në lidhje me këtë rajon, bashkë me një pako solide të mbështetjes financiare kundër pandemisë COVID-19 dhe të pasojave të saja të pritshme. Këto vetëm demonstrojnë se BE-ja i konsideron vendet e rajonit veçse si anëtare të familjes. Kriza aktuale duhet kthyer në një mundësi për të konsoliduar edhe më tej Unionin tonë duke iu ngjitur fort vlerave të veta themelore dhe, në veçanti, një solidariteti të fuqishëm mes anëtarëve të familjes evropiane”, thuhet në deklaratë, transmeton Zeri.info.

S&D thekson se aspiratat e vendeve për t’u bashkuar në BE e kanë bërë Unionin më me influencë, e kanë forcuar kapacitetin e tij për të promovuar ndryshime pozitive në vendet kandidate, raporton “europeanwesternbalkans”.

“Procesi i zgjerimit i mundëson BE-së të shtrijë ndikimin e saj dhe të nis reformat të cilat në të kundërtën mund të marrin shumë kohë për t’u implementuar në vendet kandidate, marrë parasysh faktin se BE-ja është partneri i parë tregtar dhe donatori kryesor dhe ofruesi i asistencës për të gjitha vendet në rajon. BE-ja duhet të thotë qartë se ne jemi partneri kyç në rajon kur kemi të bëjmë me ndërtimin e demokracisë dhe drejtësisë sociale”, potencohet më tej në deklaratë.

Grupi S&D mirëpriti vendimin e Këshillit të 26 marsit për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe theksoi se presin me padurim zbatimin e konkluzave të tij.

Për Grupin S&D, zgjerimi është një prej politikave më të suksesshme të BE-së, duke e zgjeruar zonën e demokracisë, paqes dhe prosperitetit përgjatë kontinentit dhe si i tillë, është në interesin e përbashkët si për BE-në ashtu edhe për vendet kandidate. Ata potencuan nevojën për një fokus më të fuqishëm në debate publike brenda shteteve anëtare dhe mbi brengën e qytetarëve të BE-së për ta bërë procesin edhe përfshirës e edhe të suksesshëm.

“Pranimi i cilitdo vend do të ndodhë vetëm nëse dhe kur të gjitha kushtet e nevojshme të jenë plotësuar, pa asnjë koncesion. Ne insistojmë se progresi i secilit vend të vlerësohet në mënyrë të drejtë në secilën fazë, rast për rast, dhe mbi bazën e kriterit të paracaktuar të bazuar në merita”, thotë grupi.

Më tutje, thonë se vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u ofrohet një kornizë stabile e pranimit dhe e mbështetjes gjatë këtij procesi i cili siguron qartësi, parashikueshmëri, kredibilitet dhe koherencë dhe ku kushtëzimi është i sinqertë dhe ku premtimet mbahen”, shkruan në deklaratë