Sot heshtja zgjedhore në Maqedoni

10.12.2016 09:24:11

Në mesnatë përfundoi fushata zgjedhore njëzetditëshe dhe filloi heshtja para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Republikën e Maqedonisë.

Sot, një ditë para zgjedhjeve, do të votojë diaspora, personat e sëmurë dhe të pamundur, të burgosurit dhe personat në paraburgim.

Vendvotimet hapen në orën 7:00, ndërsa votimi përfundon në orën 19:00. Në diasporë kjo do të bëhet sipas kohës lokale.

Në zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista me gjithsejtë 1.092 kandidatë.

Të paraqitur për votim jashtë vendit janë 20.573 qytetarë, përderisa në Listën e posaçme zgjedhore janë regjistruar 230.122 persona të cilët në pajtim me evidencën e organit kompetent konsiderohet se janë në punë të përkohshme jashtë vendit.

Të drejtën e tyre të votës jashtë vendit shtetasit e Republikës së Maqedonisë do të mund ta realizojnë në 41 përfaqësi diplomatike konsullare dhe zyra konsullare. Më së shumti të paraqitur për votim ka në Bernë 4.256, në Venecie, 2.724, në Detroit 1.170, Nju-Jork 1.168, Melburn 1.112… Për këto zgjedhje, për votimin në Bernë janë hapur tre vendvotime plotësuese, përderisa në Venecie dy.

Më pak të paraqitur ka në Madrid 10, Pekin 13 dhe në Varshavë 14 votues.

Votimi sot mbahet edhe për 2.015 të burgosur dhe persona në paraburgim. Në shtëpi apo në adresë ku janë paraqitur sot votojnë dhe persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. Votojnë edhe 13 persona të zhvendosur brenda shtetit.

Për zgjedhjet e nesërme, të nënta parlamentare, të katërtat të parakohshme prej vitit 2008 e këndej, në Listën zgjedhore të regjistruar për votim janë 1.784.416 shtetas të Republikës së Maqedonisë të moshës madhore. Në Maqedoni do të votojnë 1.531.368 qytetarë. Zgjedhjet do të mbahen në 3.480 vendvotime në gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni dhe në 46 në njësinë e shtatë zgjedhore që e përfshinë diasporën.