Spasovski: MPB tani më nuk bën përgjime joligjore, jemi të hapur për kontroll (Video)

01.10.2017 11:05:32

Me përgjegjësi mund të them se tani më nuk bëhet përgjim joligjor dhe për këtë gjë mund të ketë edhe kontrolle të ekspertëve, kontrolle nga komisione të Kuvendit, tha ministri për punë të brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski në intervistë për Radio Evropa e Lirë, duke shtuar se janë të hapur për të gjitha mbikëqyrjet në pajtim me ligjet.

Në pyetjen e gazetares se a janë të vërteta akuzat e opozitës se policia po përdoret për qëllime partiake, Spasovski tha se demanton një gjë të tillë, duke shtuar se një parti si OBRM-PDUKM që shndërroi Ministrinë e punëve të brendshme në shërbim partiak nuk ka besueshmëri të flasë për këto çështje, për partizimin e MPB-së dhe keqpërdorime në të.

Ministri Spasovski tha se për të është prioritet i parë realizimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike dhe për këtë shkak bëjnë përgatitje, stërvitje të policëve të cilët do të bëjnë kontrollin e zgjedhjeve lokale në bashkëpunim me OSBE-në dhe apeloi deri te të gjitha partitë politike dhe vetë qytetarët që të kontribuojnë në mbajtjen e qetësisë gjatë procesit zgjedhor në vend.