Specialisti i Psikologjisë: Konsultimet për punonjësit e sigurisë të obligohen së paku dy herë në vit

19.02.2020 18:32:37

Pas rastit të Gjilanit ku policja dyshohet se qëlloi për vdekje katër familjarët e saj, Specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Imri Zabeli, ka alarmuar për nevojën e shërbimeve të kësaj fushe, nëpër institucione.

Duke qenë se policja dyshohet se pati shëndet jo të mirë mendor ndërsa ishte pjesë e institucionit të sigurisë, Zabeli shprehet që punojësit në sektorin e sigurisë dhe emergjencave duhet që s’paku dy herë në vit të bëjnë konsultime psikologjike, njofton Klan Kosova.

Kjo pasi ata vazhdimisht i ekspozohen stresit në punë.

Për më shumë ja postimi i plotë:

”Vazhdoj të tërheq vëmendjen për nevojën e shërbimeve psikologjike në institucione

Punonjësit në institucionet e sigurisë dhe emergjencave i ekspozohen stresit te vazhdueshëm. Konsultimet dhe mbështetja psikologjike duhet të jetë shërbim i domosdoshëm.

Për të shmangur çfarëdo paragjykimi, stigme, duhet që konsultimet psikologjike të bëhen të obliguara së paku 2 herë në vit për të gjithë punonjësit e sigurisë dhe emergjencave.

Tash që ka ndodhë ky rasti në Gjilan, e dijë se sa shumë vështirë e përjetojnë dhe do ta kenë punonjësit e sigurisë, emergjencave që vuajnë nga simptomat apo çrregullimet e ankthit.

Institucionet e sigurisë dhe emergjencave duhet të kenë më shumë mekanizma/resurse profesionale brenda institucioneve që të analizojnë dhe menaxhojnë me kujdes gjendjen psikologjike të punonjësve dhe ndërmarrin masa gjithnjë në të mirë të individit dhe mjedisit social!”.