Specialja “zhagit” procedurën ndaj Gucatit e Haradinajt, ua vonon aktakuzën dhe i lë në paraburgim

17.11.2020 12:05:30

Po bëhen gati dy muaj prej se hetuesit e Speciales dhe EULEX-it hynë në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë. Më 25 shtator, ata aty përveç bastisjes kryen edhe disa arrestime. Në pranga përfunduan dy krerët e kësaj organizate, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati. Ndonëse më 1 tetor, në seancën e parë në Speciale ishte paralajmëruar se do të ketë aktakuzë ndaj tyre brenda 30 ditësh, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë po e vonon aktakuzën ndaj dy ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Prokurorja Speciale, Valeria Bolici, qysh në seancën e 1 tetorit, kishte thënë se ky organ hetues ka ndërmend që brenda një periudhe 30 ditore, aktakuzën ndaj dy të lartëpërmendurve ta dorëzojë në gjykatë.

Nga ajo ditë, po bëhet gati dy muaj dhe Prokuroria nuk ka përpiluar ende aktakuzë, në atë formë që procesi ndaj Gucatit e Haradinajt të vazhdojë normalisht.  Gjatë kësaj kohe ata po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Në seancën e parë, prokurorja Bolici kishte përmendur arsyet që sipas saj do të marrin kohë në përpilimin e një aktakuze të mirëfilltë. Madje, ishte shprehur se shpejtësia e procedurës është prioritet për Prokurorinë.

“Siç  e thashë edhe në seancën e mëparshme: Shpejtësia e procedurës është prioritet absolut për ne. Është shumë e rëndësishme që të gjitha materialet të jenë të plota. Është në interes të të gjitha palëve, dyshuarve dhe gjykatës. Unë vë në dukje që veprat penale për të cilat është konstatuar dyshimi i bazuar, janë deri në datën 22 shtator, që është një javë më parë. Janë disa hapa të domosdoshëm hetimorë që po ndërmerr zyrja jonë përfshirë edhe atë me dëshmitarët që janë ndjerë të kërcënuar, kërkesa e dokumenteve nga palë të treta si dhe analizimi i  sendeve të sekuesturara. Duke pasur parasysh të gjitha këto hapa, konfirmoj që Prokuroria ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, kishte thënë ajo.

Mirëpo kështu nuk po del të jetë.  Tanimë kanë kaluar 48 ditë që prej se Prokuroria nuk ka dorëzuar aktakuzë ndaj dy të parëve të OVL-së.

Kjo konfirmohet edhe në procesverbalet e rasteve aktive në Speciale, në të cilat për Gucatin e Haradinajn thuhet se ende janë të dyshuar, pasi që nuk ka aktakuzë ndaj tyre.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk ka përpiluar aktakuzë në këtë rast. Andaj Gucati e Haradinaj konsiderohen ende të dyshuar”, thuhet aty.