Spiunazhi ekonomik/ A është në rrezik Shqipëria nga diplomatët e huaj?!

25.08.2020 17:09:04

Pak orë më parë, Vjena dëboi një diplomat rus pasi kishte dyshime të forta se ai po bënte spiunazh ekonomik, duke cenuar Austrinë. Por, a rrezikon Shqipëria, a ka diplomat të huaj që përveç misionit të tyre real kanë edhe detyra specifike?!

Teorikisht ndodh, për aq kohë sa Shqipëria nuk bën asnjë përjashtim nga vende të tjera të Evropës, e aq më tepër kur një rajon i pastabilizuar e në cikle krizash në momente zhvillimesh specifike integruese si Ballkani u shkon për shtat synimeve të dëshiruara të shteteve kundërshtare. E madje, nëse u referohemi fakteve, ka dëbime të diplomatëve iranianë që e kanë pasur Shqipërinë objekt të akteve terroriste.

Aktorë gjeopolitikë kundërshtarë të proceseve integruese të rajonit, nëpërmjet aktiviteteve influencuese synojnë edhe amplifikimin e problematikave aktuale për ta paraqitur rajonin tonë si të padëshirueshëm për perëndimin, me kapacitete kërcënuese për stabilitetin evropian dhe njëkohësisht targetojnë organizmat ndërkombëtarë si të dështuara në politikat përkundrejt rajonit.

“Kush nuk i kushton rëndësi mbrojtjes, e humbet lojën,” thuhet në futboll. Një rregull ky që vlen edhe për ekonominë. Kush nuk i mbron të fshehtat e kompanisë nga të huajt, humbet shpejt në konkurrencë.

Rreziqet që vijnë nga spiunazhi ekonomik janë shtuar në kohën e teknologjive të informacionit. Rreziqet më të mëdha vijnë nga Rusia dhe nga Kina. Sot spiunazhi nuk bëhet më me ndjekje nga agjentë që shkollohen. Kur ekonomia është objektiv spiunazhi, metodat nuk bien fare në sy. Për shembull, një praktikant i motivuar, i cili vazhdon më dëshirë punën edhe pas orarit. Ose një partner miqësor biznesi. Ajo çka fillimisht duket si e parëndësishme, mund të ketë pasoja të rënda për firmën, që ndodhet në konkurrencë ndërkombëtare.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë nuk e ka të përcaktuar termin “spiunazh ekonomik”. Në nenin 217 të këtij kodi ka këtë përmbajtje:  “Marrja apo marrëveshja për të marrë shpërblim apo përfitime të tjera materiale, për të kryer në favor të shteteve apo fuqive të huaja një krim dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”, pa detajuar se për cilin krim mund të ngrihet një akuzë, që më pas të shoqërohet me këtë dënim.

Ndërsa në nenin 218 po të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë thuhet se vënia në shërbim të një shteti apo një fuqie të huaj të çdo shtetasi shqiptar, me qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Ndërsa për ato informacione që mund të klasifikohen të karakterit spiunazh ka deri diku një qasje, e shkruar e zeza mbi të bardhë në nenin 213 të Kodit Penal. Aty shkruhet se “dhënia e informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër një fuqie të huaj për të cënuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet, ndërsa neni pasardhës flet për sigurimin e informative.

Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cenuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.