Starton F1, Hamilton pole position, Vettel i dyti

25.03.2017 11:02:33

Mercedes dhe Ferrari, janë këto dy fuqitë kryesore që do të duelojnë gjatë këtij sezoni në Formula 1, të paktën nëse i referohemi paraqitjes së parë zyrtare të njëvendësheve të revolucionarizuara. Në provat zyrtare të Cmimit të Madh të Australisë, Lewis Hamilton regjistroi kohën më të shpejtë dhe do të niset nga vendi i parë në garën e së dielës, por drejtuesit e skuadrës gjermane duket se këtë sezon do të bëjnë llogaritë me Ferrarin. Sebastian Vettel prenoton radhën e parë me rreth 3 të dhjetat më shumë duke lënë pas krahëve Valteri Bottas dhe shokun e skuadrës Kimi Raikkonen.

Në këtë mënyrë, provat zyrtare konfirmojnë superioritetin e kampionëve të botës me pole position numër 62 në karrierën e britanikut të lindur në Stevenage. Në krahun tjetër, për Ferrarin lajmi i mirë është se skuadra e kuqe ndodhet shumë pranë Mercedesit edhe pse diferencat vazhdojnë të mbeten në pistë. Koha e pestë më e mirë për Red Bullin e Max Verstappen edhe pse makinat e Adrian Newey duken në vështirësi, kjo edhe për faktin se Ricciardo do të niset nga vendi i dhjetë për shkak të daljes nga pista. Paraqitje shumë pozitive dhuroi edhe francezi i Haas, Romain Grosjean i cili do të niset përpara makinës Williams të Massa-s.

Për t’u rikthyer edhe një herë në majën e klasifikimit, për t’u veçuar është edhe fakti se Hamilton me kohën 1.22.188 regjistroi edhe rekordin e ri në pistën australiane të “Albert Park”, fakt që konsirmon se makinat e këtij sezoni janë mesatarisht 3 sekonda më të shpejta se ato të sezonit të shkuar për shkak të ndryshimeve drastike në rregullore. Jashtë dhjetëshes së parë përfundoi dy herë kampioni i botës, Fernando Alonso i cili vazhdon të hasë probleme të mëdha me makinën McLaren Honda, ndërsa shoku i tij i skuadrës Vandoorne do të niset nga vendi i 18. /supersport.al/