Stavileci: Teknologjia informative promotor i zhvillimit ekonomik

03.03.2017 16:10:41

Teknologjia informative është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Andaj, përparësia e Teknologjisë Informative është që edhe nga largësia mund të bëhen shumë punë derisa sektori i TIK-ut, në pesë vjetët e fundit ka shënuar rritje në 23.5 për qind.

Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një ligjëratë me studentët e Institutit Riinvestit me temë “Teknologjia Informative si promotor i zhvillimit”.

Ai ka theksuar se sot të gjitha fushat që i kemi kanë lidhje të drejtpërdrejtë me sektorin e TIK-ut.

“Gjendja e ekonomisë, mungesa e vendeve të punës por edhe ajo që sot e kemi parë në shumë shtete janë me mijëra vende në sektorin e TIK-ut, të cilat janë të qasshme për të gjithë njerëzit. Përparësia e TIK-ut është që edhe në largësi mund të bëhen pumë shumë të mira që të rinjtë tonë mund të punësohen ose të gjejnë iniciativa me të cilat ata mund t’i plasojnë idetë e tyre në këtë rast më formën e shërbimeve dhe produkteve edhe jashtë vendeve”, ka thënë ai.

Ai tha se duke qenë të fokusuar më shumë në projekte të mëdha është munduar jo me nënvlerësua sektorin e TIK-ut, por përkundrazi është munduar me vendos në dritën e reflektorëve si mundësinë më të mirë edhe për ekonominë tonë, por edhe për të rinjtë tonë.

“Ne gjithmonë flasim për një bilanc tregtar negativ. I vetmi sektor që sot ka bilanc pozitiv është sektori i shërbimeve. Ne gjithmonë flasim për një stagnim bile fusha në të cilat nuk ka rritje në industri të caktuara ose maksimalisht një rritje shumë e vogël. Në sektorin e TIK-ut në pesë vjetët e fundit kemi një rritje prej 23.5 për qind dhe kur kësaj ia shtojmë potencialin e rinisë sonë njërën prej atributeve kryesore qe flasin gjuhë të huaja mbi të gjitha jemi më të adaptueshëm në teknologjinë e informacionit”, ka thënë Stavileci.