Jens Stoltenberg: NATO forcon mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike

Jens Stoltenberg: NATO forcon mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike

28.06.2017 17:22:21

NATO forcon mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike që shënjestrojnë vendet anëtare, duke marrë një kundërpërgjigje kolektive nëse sulmohet njëri prej tyre si në rast të agresionit ajror apo në terren, ka deklaruar sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai tha se NATO do të punojë më shumë duke shkëmbyer informacione mbi praktikat më të mira, teknologjitë dhe do të bashkëpunojë më ngushtë me të gjithë aleatët për përmirësimin e kapaciteteve.

“Sulmet kibernetike të regjistruara në muajin maj por edhe gjatë kësaj jave vënë theksin tek rëndësia e forcimit të mbrojtjes sonë ndaj sulmeve kibernetike”, tha Stoltenberg në Bruksel.

NATO ka vendosur prej një viti të hartojë një hapësirë të mbrojtjes kibernetike “një fushë operacionale”. Një sulm kibernetik mund të aktivizojë nenin 5 të traktatit themeltar të Aleancës, që parashikon se vendet e NATO-s do t’i vijnë në ndihmë një aleati në rast agresioni.