Stuhia në Greqi lë të vdekur dy fëmijë në mesin e gjashtë shtetasve të huaj

11.07.2019 13:58:17

Dy fëmijë nga gjashtë shtetas të huaj kanë mbetur të vdekur pasi një stuhi e ashpër goditi zonën turistike të Halkidhikut rreth 80 kilometra në lindje të Selanikut.

Nga këto erëra mbeten të vdekur dy turistë të moshuar nga Republika Çeke. Po ashtu, dy rusë – një i rritur dhe një fëmijë – vdiqën pranë hotelit të tyre në qytetin Potidea, ndërsa një grua dhe një fëmijë tetë vjeçar nga Rumania u vranë pasi çatia u rrëzua në një restorant në Nea Plagia.

Të paktën 120 vetë janë dërguar në spitalin e zonës dhe disa prej tyre janë dërguar në Selanik pasi kanë pasur plagë të rënda, ndërsa në zonë kanë operuar mbi 150 zjarrfikës dhe nëpunës të bashkive me 50 mjete.

Mbi 5 mijë vetëtima janë regjistruar brenda gjysmë ore në Sithoni të Halkidhikisë, ndërsa stuhia është shoqëruar edhe me reshje të rrëmbyera shiu.