Sulmi në Mançester, politika shqiptare në krah të Britanisë

23.05.2017 11:30:19

Tirana zyrtare ka dënuar me ashpërsi të madhe sulmin në Mançester të Anglisë, ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme, është shprehur “e tronditur nga lajmi i tmerrshëm për një sulm të dyshuar terrorist. Solidaritet për popullin britanik. Ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave”, – thuhet në një njoftim zyrtar.

Edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur “hidhërimin e thellë” për viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të aktit terrorist të ndodhur mbrëmë në Arenën e Mançesterit, në Britaninë e Madhe.

“Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Duke shprehur solidaritetin e tij me qytetarët, kreu i shtetit i ka dënuar me forcë këto “akte mizore” dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet dhe shoqëritë e lira.

Po ashtu edhe Partia Demokratike ka dënuar sulmin, duke theksuar se “jemi në krah të populli britanik për të kaluar këtë fatkeqësi. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të afërmit e viktimave. Dënojmë këtë sulm barbar që nuk kurseu as fëmijët. Ky sulm barbar është shembull se si barbaria cenon jetën e qytetarëve të pafajshëm. Solidarizohemi me aleatin tonë në këto momente të vështirë”, – lexohet në njoftimin e PD-së.