Surpriza në formacionin e De Biasit

28.03.2017 08:31:12

Surpriza në formacion në miqësoren me Bosnje Hercegovinën. Gianni De Biasi premtoi se këtë të martë do të hedhë në fushë skuadrën më të mirë, por hapësira do ti lihet edhe disa futbollistëve që garojnë për një fanellë titullari dhe që në Itali nuk luajtën, ndërsa do të ketë edhe një debutim.

Në Elbasan Arena, në portë pritet të rikonfirmohet Thomas Strakosha. Trajneri po mendon ti japë vazhdimësi aktivizimit të talentit të Lazio-s, ndërsa Etrit Berisha mund ta shohë sfidën nga stoli, me thirrjen në skuadër që shërben edhe si një shembull i unitetit brenda grupit kuqezi.

Ndryshime ka në mbrojtje, me Kukelin që do të qëndrojë në qendër në rreshtimin 5-4-1, përkrah të konfirmuarit Veseli dhe befasisë Albi Alla. Mbrojtësi i Kukësit, që ka qenë një prej elementëve më të spikatur në kampionatin shqiptar, pritet të jenë titullar në vend të Arlind Ajetit, të cilin De Biasi mendon ta mbajë pushim, për të evituar dëmtime nga mbi-lodhja pas ndeshjes në Palermo.

Elseid Hysaj do të luajë në të djathtë dhe në mungesë të Ansi Agollit do të ketë shiritin e kapitenit. Në krahun e majtë do ti jepet hapësirë aktivizimit të Alijit, edhe sepse stafi i Kombëtares kërkon të marrë sinjale për lojtarin që do të mbulojë këtë rol në sfidën e Qershorit në Izrael, ku Agolli është i pezulluar.

Në mesfushë nuk ndryshon asgjë në qendër, ku Basha dhe Memushaj do të drejtojnë manovrat e Kombëtares, ndërsa gjithçka pritet të ndryshojë nga krahët ku hapësira do ti jepet Jahmir Hykës dhe Azdren Llullakut. Dy sulmuesit anësorë do të jenë në mbështetje të Bekim Balajt, në një rreshtim që nga 5-4-1, me daljet nga krahët të Hysajt dhe Alijit shndërrohet në skemën ofensive 4-3-3.

Gjatë miqësores me Bosnjen, që ka në kontingjent yje si Edin Dzeko dhe Senad Lulić, De Biasi do të eksperiementojë edhe me skema dhe lojtarë, ndoshta për të aktivizuar Latifin e Grezdën që luajtën ndaj Italisë, por edhe Afrim Takun dhe Keidi Baren të afruar së fundmi nbë ekip.

E vetmja garanci është që në pjesën e dytë në portë, Strakosha do t’ia lejë vendin Alban Hoxhës, ndërsa dyshime ka për gjendjen e Armando Sadikut. Sulmuesi ka pësuar një goditje në pjesën e pasme të kofshës dhe u la pushim në stërvitjen e fundit të Kombëtares, si masë parandaluese. Gjendja e Sadikut do të vlerësohet edhe pak orë përpara ndeshjes, për të marrë një vendim përfundimtar nëse bomberi elbasanas do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë. /supersport.al/