Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh i bindur në aftësinë e policisë së shtetit për të zbardhur grabitjen e 2,7 mln eurove në Qafën e Kasharit, duke deklaruar se policia nuk intimidohet nga sulmet publike që i bëhen punës së saj.
“Të jeni të bindur që siç kemi zbardhur ngjarje të tjera do e zbardhim dhe këtë. Policia e Shtetit nuk dorëzohet dhe as intimidohet nga sulmet publike. Detyrën e ka bërë dhe atëherë ku përveç kriminaliteti në rrugë ka pasur dhe banditizëm në Parlament. Aseti ynë i çmuar është besimi i qytetarëve, angazhimi, forcimi i kapaciteteve njerëzore. Policia do të bëjë detyrën dhe do ta zbardhë këtë ngjarje, siç ka bërë me ato të kaluarat”, tha ministri Tahiri për mediat.
Deklaratat e ministrit të brendshëm u bënë gjatë ceremonisë së organizuar në repartin RENEA, ku u dorëzuan pajisjet e reja për këtë strukturë të rendit. Shumë shpejt tha ministri, pas FNSH-së dhe RENEA do të jetë me godinë të re.








































