Tahiri: Kemi hedhur rrjetën për “peshqit e mëdhenj”

04.01.2017 15:00:24

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një konference të gjatë për mediat, ka bërë bilancin e ministrisë që drejton për vitin 2016, si dhe sfidat për vitin 2017.

Gjatë fjalës së tij, ministri vlerësoi punën e policisë për vitin 2016, duke shtuar se është bërë më profesionale.

Po ashtu, Tahiri tha se gjatë viti që kaloi janë kapur mbi 2100  persona të shpallur në kërkim.

“Me Interpol e Europol janë 15 mijë informacione të shkëmbyera, si dhe 90 persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin nga vende të tjera drejt Shqipërisë”., – tha ministri.

Ministri tha se puna e Policisë së Shtetit gjatë këtij vitit do të fokusohet tek goditja e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tahiri tha se “po rendim drejt peshqve të mëdhenj”, duke lënë të kuptohet se do të ketë arrestime të rëndësishme si pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.