Tahiri: Mbështetja e shërbyesve civil ndihmon në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike

22.06.2018 20:52:53

Me rastin e Ditës së Shërbimit Civil, Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri , është takuar me nënpunësit civil.

Duke folur para tyre Tahiri ka thënë se kjo ditë shënon falënderimin për gjithë kontributin që është lënë pas dhe inkurajimin për të vazhduar me përkushtim, ide të reja dhe kreativitet në shërbimin ndaj publikut.

“Shërbyesit Civil janë të parët që ballafaqohen me kërkesat e qytetarëve. Administrata publike që prej fillimit deri në këtë ditë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit dhe të strukturave tona institucionale”, ka thënë Tahiri.

“Duke ju uruar këtë ditë të veçantë qëndroj i bindur se vetëm duke inkurajuar dhe mbështetur Shërbyesit Civil do të arrijmë t’i vendosim themele të qëndrueshme institucioneve dhe shtetit”, u shpreh Tahiri”.