Tahiri rikonfirmon marrveshjen për targat

09.09.2016 17:18:31

Bisedimet, Prishtinë- Beograd kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme në Bruksel, ku u tha se pas nëntë orë bisedimesh, është arritur marrëveshje për reciprocitet të plotë për targat e veturave në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe heqjen nga përdorimi të tabelave ‘prova” të cilat njëanshëm zbatoheshin nga pala serbe që nga viti 2011.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri deklaroi se arritja e kësaj marrëveshje është një e arritur e rëndësishme.

Por arritja e kësaj marrëveshje është mohuar nga pala serbe përmes drejtorit të zyrës së Kosovës në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ai shtoi se nuk ka marrëveshje në mes të dy palëve për çështjen e targave, dhe se sipas tij do të jetë e vështirë për shkak së është rënduar “klima e pafavorshme në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”.

E një gjë të tillë e ka bërë sot edhe zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, e cila deklaroi se nuk ka pasur arritje të marrëveshjes për targa në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Po bisedohet për këtë, por janë të nevojshme përpjekje dhe bisedime shtesë”, ka thënë Kociançiq.

Ministrja ka rikonfirmuar se është arritur marrëveshja për targat dje në Bruksel.

“Dëshiroj të konfirmoj se marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e automjeteve të dyja shteteve është arritur dje pas nëntë orësh bisedimesh”, ka thënë Tahiri.

 

E pyetur rreth deklaratës së Maja Kocijançiq, Tahiri theksoi se “ajo që ka menduar zonja Kocijançiq është se kjo marrëveshje ka edhe çështje tjera të cilat do të bisedohen në fillim të javës tjetër dhe njëra prej tyre është heqja e tabelave ilegale që qarkullojnë ende në pjesën veriore të Kosovës, dhe me gjasë ajo ka menduar se kur të gjitha çështjet të arrihen pra ajo do të quhet marrëveshje e plotë”

Ministrja tutje ka theksuar se me anë të kësaj marrëveshje është një reciprocitet i i tillë që edhe tabelat e Kosovës edhe tabelat e Serbisë do të kenë një trajtim të njëjtë, do të ketë një letër ngjitëse që është e njëjtë për të dyja shtet dhe se javën tjetër do të definohet se çfarë formati do të ketë kjo letër.

“Afatet kur fillon zbatimi ende me datë nuk i kemi cakut por të dyja shtet duhet të japin një datë se kur mund të bëhet përgatitja teknike për tu zbatuar por jo më larg se nëntori”, u shpreh Tahiri.

E lidhur me këtë marrëveshje analisti, Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova ka bërë gabim më herët kur ka pranuar të arrijë marrëveshjen për targat, e që e ka zbatuar vetëm pala kosovare, por jo edhe ajo serbe.

“Serbia do të bëjë çmos që marrëveshjet që arrihen të jenë në favor të saj. Kështu është vepruar edhe me disa marrëveshje të tjera. Është e domosdoshme që zyrtarët kosovarë të jenë këmbëngulës në reciprocitet me Serbinë”, ka thënë ai.

Mushkolaj ka shtuar se duke lëshuar pe për çështje të rëndësishme, zyrtarët kosovarë po i bëjnë dëme vendit dhe më pas po harxhojnë energji koti duke i përmirësuar gabimet e veta.