Tahiri tha se rifillimi i dialogut me Serbinë është prioritet i Kosovës

08.08.2017 13:52:19

Që nga muaji mars i këtij viti dialogu Kosova-Serbi veçse ishte pezulluar. Por një rifillim i tij nuk arriti të bëhej pas zhvillimeve të reja në vend.

Tashmë afro dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve nacionalë në Kosovë, shteti vazhdon të mbetet pa themelimin e udhëheqësis së re institucionale.

Ndryshe nga ndërkombëtarët është parë më se e nevojshme rifillimi i dialogut me Serbinë si dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel.

E kohët e fundit ishte përfolur një mundësi që dialogu në fjalë të kalojë në nivel presidencial. Pra të përfaqësohet nga Presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili edhe kishte filluar të deklarohej pro kësaj ideje.

E kontaktuar nga Indeksonline, ministrja në largim për Dialog, Edita Tahiri ka cilësuar se kryesore dhe urgjente është krijimi i institucioneve të reja në vend.

Sipas saj vendi ka përpara një agjendë të prioriteteve të brendshme dhe të jashtme.

“Kryesore dhe urgjente është te krijohen institucionet e reja. Kosova ka përpara një agjendë të prioriteteve të brendshme dhe të jashtme, të cilat kërkojnë zgjidhje për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e shtetit”, ka shtuar Tahiri.

Sipas Tahirit është pikërisht dialogu me Serbinë, pjesë e këtyre prioriteteve të Kosovës.

“Dialogu i Brukselit bën pjesë në mesin e këtyre prioriteteve dhe është e rëndësishme sepse është dialog në dobi për paqe, fqinjësi dhe integrime dhe euroatlantike për Kosovën”, ka përfunduar Tahiri.