Tahiri tregon masat për parandalimin e korruptsionit

28.03.2018 15:49:37

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane, ka përmendur masat që ka ndërmarrë ministria të cilën ai e drejton rreth ndryshimit të ligjeve që kanë qenë si kritere për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ai me këtë rast ka përmendur Kodin Penal, Kodin e procedurës penale e Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“Çështje mjaft e rëndësishme në angazhimin tonë në fuqizimin e legjislacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është rishikimi i Kodit Penal dhe rishikimi i Kodit të Procedurës Penale, rekomandimet themelore që lidhen ekskluzivisht me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendamentimi i Kodit Penal ka prodhuar një kod të ri Penal, janë diku rreth 19 nene të reja që janë inkorporuar në adresimin e çështjeve që ndërlidhen në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo që është tejet e rëndësishme dhe që është ngritur vazhdimisht edhe nga mediat, edhe nga shoqëria civile është parashkrimi i lëndëve për shkak të mos efikasitetit dhe mos arritjes së gjyqësorit që t’i përmbush. Dhe, ne kemi parë të arsyeshme që të rritet për një numër të veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e parasë publike, do të rritet viti i parashkrimit dhe veprave penale që besoj më që do të mundësojnë gjyqësorit të arrij ta përmbush mandatin e tyre”, tha ai.

Si shumë të rëndësishme e ka quajtur rritjen e dënimeve që ndërlidhen me vepra korruptive dhe me keqpërdorimin e parasë publike.

Ndërsa, ministri Tahiri ka thënë se një çështje tjetër që ndërlidhet me Kodin Penal është se në momentin kur një zyrtar shtetëror do të dënohet për aferë korruptive, ai së paku 10 vite nuk mund të ushtroj veprimtarinë e tij në institucionet e Republikës së Kosovës.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, parashtroi pyetje për ministrin Tahiri, me qëllim që ky i fundit të sqarojë për qytetarët e Kosovës nëse është përmbushur ose jo kushti kryesor për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Është interesant se ministrja e Integrimeve Evropiane ka konstatuar edhe në raportin e saj edhe në prezantim se është përmbushur kushti kryesor për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ju gjatë prezantimit tuaj theksuat disa herë se ky kriter duhet të përmbushet. Tash pyetja është: A është përmbushë apo duhet të përmbushet, pse qytetarët janë të manipuluar duke iu thënë se është përmbushur dhe tashmë po dhe se jemi në proces të përmbushjes dhe jemi shumë larg”, theksoi Pacolli.

Ministri Tahiri u përgjigj duke thënë se luftimi i korrupsionit duhet të bëhet në vazhdimësi, pasi sipas tij kjo çështje përcjellët vazhdimisht nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se në këtë moment Kosova e ka përmbushur kriterin sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që ai tha se nëse mbas dy muajve nuk do të ketë raste të reja do të llogaritet si ngecje.

“Çështja e 39 rasteve, këto raste në momentin që përfundojnë dalin, nuk kemi të bëjmë me rastet e njëjta prej fillimit, duhet të kemi parasysh. Këto tri javë muajt e fundit i kemi edhe dy raste të reja që kanë hyrë, këto vazhdimisht. Ky është një kriter i cili nuk është një akt thjeshtë u miratua demarkacioni dhe u krye, ky është një proces ne në vazhdimësi duhet të tregojmë rezultat. Dhe, institucionet tona nuk po them që kanë bërë mrekulli në këtë proces, por kanë treguar rezultat”, tha ministri Tahiri.

Ndërsa në pyetjen e deputetit të Alternativës, Ilir Deda, se a ka ndonjë ligj që duhet të përfundohet për të fituar liberalizimin e vizave, ministri Tahiri tha se Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit janë ende në Kuvend për të kaluar në lexim të dytë.

“Ajo që duhet të ndodhë urgjentisht është miratimi i këtyre dy ligjeve që në lexim të dytë nuk kanë kaluar ende. Është Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, që besoj se brenda kësaj jave do të organizohet një seancë që të kalojnë në lexim të dytë dhe që ndërlidhen me raportin që del për vendin me datën 17 prill”, sqaroi ministri.

E ajo që është më e rëndësishmja në rrugën drejt liberalizimit të vizave, ministri Abelard Tahiri tha të jetë mekanizmi përcjellës.

Gjatë ditës së sotme po për temën rreth procesit të liberalizimit të vizave, në Komisionin për Integrime Evropiane ka raportuar edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.