Takohen Gashi e Grabovci: Ndërtimi i qendrës rinore prioritet i komunës së Obiliqit

11.11.2020 13:19:47

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi paraditen e së mërkurës ka pritur në takim zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arbër Grabovci, ku kanë diskutuar për projektet të ndryshme që do të realizohen në komunën e Obiliqit.

Gashi ka thënë se në këtë komunë janë zhvilluar shumë projekte për të cilat falënderon edhe nivelin qendror.

Ndërsa ka shtuar se në takim është biseduar edhe për qendrën rinore, ku ka kërkuar që të jetë projekt i përbashkët me Ministrinë e Kulturës.

“Sot pata nderin ta takoj zëvendësministrin e Kulturës. Bashkëbiseduam për projekte të cilat janë në zhvillim, për nevojat e ardhshme të komunës. Bashkëbiseduam për qendrën rinore që në të ardhmen mundësisht të jetë një projekt i përbashkët me ministrinë. Obiliqi nuk do t’i kishte këto suksese po të mos ishte edhe niveli qendror. Ne jemi shumë mirënjohës për punën e përbashkët dhe do të vazhdojmë më tutje të bashkëveprojmë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, zëvendësministri i Kulturës, Arbër Grabovci tha se gjatë takimit, përveç për projektin qendrës stërvitore, ai ka premtuar që do të insistohet të zgjidhet sa më shpejtë edhe çështja e qendrës rinore në këtë komunë.

“Kam qenë edhe herave të tjera në Obiliq, por një pamje me të veçante e pash tash. Një kompliment i veçantë për kryetarin dhe për bashkëpunëtorët e vet. Kemi biseduar për disa projekte të rëndësishme që do të ndërlidhen me komunën e Obiliqit, për qendrën rinore e cila do të jetë një prej prioriteteve që do ta ketë edhe kryetari. Ne do të mundohemi që përmes mekanizmave që kemi të insistojmë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë, e po ashtu kemi biseduar edhe rreth fushës së futbollit, gjegjësisht qendrës stërvitore që do ta financoj federata e futbollit të Kosovës”, ka thënë Grabovci.