“Të braktisur” nga varfëria

18.12.2016 20:20:28

Në shtëpinë e fëmijës në Tiranë janë shumë fëmijë, të cilët qëndrojnë atje edhe pse i kanë prindërit e tyre. Varfëria dhe pamundësia për të rritur fëmijët e tyre i ka detyruar këto familje t’ia dorëzojnë fëmijët institucioneve shtetërore. Por në këto dite festash, edhe ata duan dhurata dhe duan të festojnë.

Në Shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” jetojnë 30 fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të braktisur për arsye ekonomike, por edhe sociale. Në këtë familje të madhe gjen fëmijë të moshave 6-18 vjeç, ndërsa më vonë secili prej tyre nis jetën i pavarur.

Në shtëpinë e fëmijës, si në çdo familje tjetër festa ka nisur herët, që në ditët e para të dhjetorit. Në sallonin e miqve ndodhet një bredh i madh, i zbukuruar nga vetë fëmijët.

Drejtoria gjithashtu premton se do të shtrohet dreka e Krishtlindjes dhe darka e madhe e ndërrimit të viteve, ku fëmijët dhe stafi do të festojnë bashkë.

“Kjo shtëpi e madhe gjithmonë ka pasur një babagjysh që ka ardhur thesin e tij plot dhurata e surpriza. Kam shumë besim se këtë vit do të vij me thesin e tij, për të realizuar ëndrrat e fëmijëve pasi ata janë sjellë shumë mirë gjatë gjithë vitit”, shprehet Irma Shtini, Drejtoresha e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Largesia nga prindërit nuk i ka zbehur ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Njësoj si fëmijët e tjerë, edhe ata presin dhuratën e shumëdëshiruar.