Të dalësh rrugëve të qytetit me ose në një karrocë!

04.04.2018 20:57:25

Nga: Thëllëzë Kastrati

Kohëve të fundit kam dëgjuar e lexuar shpesh këshilla sa i përket trajtimit të njerëzve me nevoja të veçanta. Të paktën një pjesë e vogël e shoqërisë është e angazhuar në disa forma simbolike që njerëzit me nevoja të veçanta të kenë mundësi të plotësojnë disa nga nevojat e rëndësishme të cilat ne të tjerët nuk i kemi problem. Disa nga këto nevoja janë në rrugë, në markete, në parqe, me një fjalë jashtë zonës ku ata ndjehen rehat e sigurtë, shtëpisë.

Pavarësisht këtyre nevojave, ka shumë raste të njerëzve me nevoja të veçanta, të cilët qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Andaj vetëdijesimi i njerëzve, se ata nuk duhet të mbahen të mbyllur në shtëpi, vetëm për shkak se janë ndryshe nga të tjerët, është një çëshje që zë vend të rëndësishëm në kshillat për trajtimin e njerëzve me nevoja të veçanta.

Kjo është një nga këshillat që edhe unë e praktikoj, dhe përpiqem sadopak të ndikoj që ta praktikojnë dhe të tjerët.

Të shoh njerëz me nevoja të veçanta rrugëve të qytetit më bën të ndjehem shumë mirë, jo vetëm kjo, por mendimi se të paktën në një aspekt të jetës ata janë të barabartë me të tjerët më bën të ndjehem mirë. Por kjo vlen vetëm kur unë gjykoj duke parë nga jashtë.

Përndryshe, të dalësh në rrugë me ose në një karrocë është tmerr.

Këtë nuk po e them për shkak të paragjykimeve, apo çështjeve tjera të ngjashme. Por për shkak se të dalësh me një person në karrocë, apo të jesh personi në karrocë rrugëve të qytetit nuk ke mundësi as të mendosh për këto. Të duhet tërë kohën të përpiqesh të gjesh një rrugë ku karroca mund të kaloj, dhe gjatë këtij procesi të ndodh të kthehesh, të kalosh duke rrezikuar që karroca të përmbyset me gjithë personin që ka në të, të kalosh para makinave, të kërkosh ndihmën e njerëzve të tjerë në rrugë, të dalësh nga marketet pa blerë atë që të duhet, sepse në raftet ku gjendet ai produkt nuk ka hapsirë të mjaftueshme për të hyrë karroca, ose të provosh të hysh dhe të të bien të gjitha produktet nga raftet, të kthehesh nga mjeku pa e bërë vizitën e nevojshme sepse me karrocë nuk i ngjet dot shkallët, të mos kesh mundësi të shkosh në katin e dytë në pothuajse asnjë vend, sepse shumë pak nga ato vende nuk kanë mundësi tjetër pos shkallëve për tu ngjitur. Dhe gjërave të

tjera të ngjashme të cilat vetëm duke i përmendur lodhesh. Dhe në fund, shetitja të cilën e kishe planifikuar, vizita te mjeku, ose blerja e disa produkteve që të pëlqenin është e lodhshme dhe e frikshme si dikush me një njeri në karrocë, dhe e vështirë në disa raste edhe e pamundur për njerëzit në karrocë që duan të dalin vetëm.

Qytetet tona janë të ndërtuara në një mënyrë të tillë që kufizojnë edhe më shumë njerëzit aftësitë e të cilëve në një mënyrë janë të kufizuara. Dhe bëjnë jetën, dhe mundësinë e tyre për të qenë të pavarur akoma më të vështirë nga se realisht është.

Dhe të mendosh se këto qytete janë ndërtuar nga njerëz “me aftësi të pakufizara”…!/fokusi.org/