Të dielën nisin punimet për autostradën që përplasi partnerët në Qeveri

13.04.2018 21:20:51
Të dielën e 15 prillit, Ministria e Infrastrukturës do të mbajë ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e Autoudhës “Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”.

Sipas njoftimit për media të kësaj ministrie, ceremonia inauguruese e fillimit të punimeve për ndërtimin e autoudhës “Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë”, mbahet në vigjilje të “Betejës së Zhegocit”, në të cilën u vranë tetë ushtarë të UÇK-së dhe 18 civilë.

“Ceremonia e inaugurimit të punimeve do të mbahet në Zhegoc të Gjilanit, me fillim nga ora 11:30”, thuhet në njoftim, përcjell Koha.net.

Nga krerët e MI-së, nënshkrimi i kontratës për këtë projekt ishte konsideruar lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Anamoravës, por edhe të tërë vendit, ngase kjo autostardë lidhë Gjilanin me pjesët e tjera të Kosovës.

Ministri Pal Lekaj kishte treguar se autostrada do të kushtojë 88 milionë euro, dhe se ajo do të ketë një gjatësi prej 22.3 kilometra. Punimet pritet të zgjasin 30 muaj.

E Rexhep Kadriu, zëvendësministër kishte treguar se autostrada do të ketë tri kyçje, një në Banullë, pastaj një në Zhegovc dhe e fundit do të jetë në Bresalcë.

Traseja e autostradës kishte ngjallur përplasje brenda koalicionit qeverisës. Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli kishte reaguar se pse traseja nuk prek Gollakun, deri kishte thënë se banorëve të kësaj zone në fushatë elektorale u kishte premtuar se do të ndodhte një gjë e tillë.