Të gjitha partitë njësoj

26.02.2019 14:16:25

Florim Zeqa

Analisti politik Florim Zeqa konsideron se futja e të gjitha subjekteve në sistem, përkatësisht renditja e të gjitha subjekteve pas marrjes së pushtetit, ka bërë që ta lënë në harresë të plotë elektoratin pas përfundimit të procesit zgjedhor nga ana e partive politike, gjë e cila ka bërë që edhe popullata të pasivizohet dhe demoralizohet siç është më së keqi.

“Nuk ka si të mos ndodhë pikërisht kështu për faktin se liderët e partive politike përveç pasurimit të skajshëm kanë punësuar militantët partiakë dhe familjarët e tyre nëpër institucione e borde, nëpër agjenci e korporata tjera fitimprurëse…

Edhe të ashtuquajturat “OJQ” po mendojnë vetëm si të pasurohen dhe të vjelin para të buxhetit të shtetit me ca konferenca të mbajtura sa për sy e faqe dhe në koordinim të plotë me pushtetarët”, u shpreh ai.

“Duke e parë këtë situatë sa të dhimbshme po aq dëshpëruese dhe vrastare për shtetin, qytetarët e zhgënjyer janë tërhequr nga të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend dhe rreth vendit tonë, duke u pajtuar në heshtje me të keqën e madhe që po i ndodh këtij vendi, për shkak se e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa më larg, për të mos u kthyer ndoshta asnjëherë në Kosovë.

Deri në këtë derexhe e kanë sjellë qytetarin kusarët politikë të të gjitha llojeve e ngjyrave”, vijoi më tutje Zeqa.

“Nuk pritet gjë e mirë nga subjektet aktuale politike, e vetmja shpresë e vogël e qytetarëve të dëshpëruar është ngjizja e një nisme të re nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta çrrënjosur në themel të keqen që ka mbërthyer vendin tonë në këto dhjetë vitet e fundit.

Kjo është e mundur me vullnet e dashuri, me guxim e përkushtim, me besa-besë për një qëllim hyjnor për të dhënë gjithçka nga vetja për Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi Zeqa